free hit counter “Limak” duhet ndaluar! - PSD

Kompania “Limak” ka marrë krye e s’po di të ndalet. Pas largimeve në KEDS, dje janë larguar edhe 30 punëtorë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.  Sindikata thotë se nga muaji janar i këtij viti deri sot, numri i të larguarve arrin në 54.

Largimet nga puna, edhe në Aeroport  sikur në KEDS kanë për qëllim disiplinimin e punëtorëve përmes ndëshkimit. Sindikata tregon se qysh nga greva e gushtit të vitit 2019 kishin nisur kërcënimet e shantazhet. Punëtorët e larguar, përfshirë këtu udhëheqës të Sindikatës po largohen sepse kanë organizuar grevë për të drejtat e tyre. Grevë kjo që është në përputhje me ligjin.

Menaxhmenti i kompanisë “Limak” po na thotë se nuk ka largime nga puna, por vetëm mosvazhdime të kontratave. Mjaft indikative. Kjo fjali mund të merret e mirëqenë vetëm kur si gjendje normale kemi pranuar prekariatin. Pra, me kontrata afatshkurtëra ose pa to fare, pa të drejta e siguri për të ardhmen. Kjo është gjuha shpjeguese e neoliberalizmit për punëtorin.

Kompania në fjalë ka përfituar e grabitur shumë nga asetet publike të Kosovës përmes procesit të privatizimit. Këtë e ka bërë përmes qeverive të mëparshme. Por, veprimet e fundit në KEDS dhe ANP “Adem Jashari” vijnë në kohën e Qeverisë që thotë se është për punëtorët e mirëqenien e tyre. Qeveria e re nuk na ka treguar ende nese i qëndron besnike qëllimit të dikurshëm për rishikimin e privatizimit, veçanërisht privatizimit të rrjetit të shpërndarjes dhe shitjes së energjisë ku është kompania në fjalë.

PSD qëndron në solidaritet të plotë me punëtorët, mbështet kërkesat e tyre dhe ofron çdo mbështetje e angazhim.