free hit counter Shumë zëvendësministra për asgjë - PSD
Qeveria Hoti duhet ta ndalojë sa më parë abuzimin me emërimet në postet publike politike. Nuk ka asnjë kuptim dhe asnjë dobi ky numër aq i madh i zëvendësministrave i cili në kohën që po flasim ka kaluar numrin 45.
Postet publike kurrë nuk duhet të shërbejnë për rehatimin e anëtarëve të partisë. Këto detyra e poste duhet të jenë në shërbim të një plani qeveritar urgjent për të përballur situatën pandemike e ekonomike e cila është rënduar dukshëm.
Kjo qeveri, siç po e shohim, nuk ka asnjë plan të tillë dhe në mungesë të tij po vazhdon planet partiake të rehatimit të njerëzve. Një numër kaq i madh i zëvendësministrave në fakt tregon për mungesë të ideve e politikave. Por kjo logjikë është e zhdrejtë, numri i njerëzve të emëruar asnjëherë nuk është garanci për qeverisje më të mirë, më të drejtë e më cilësore.
Është e pritshme që në koalicione të gjëra, secila parti e do pjesëmarrjen e saj në pushtet, por kjo s’guxon te ndodhë në kurriz të publikes. Ata nuk po emërohen për të shtyrë politika zhvillimore por për të realizuar interesa partiake.
Kështu si ka filluar, edhe qeveria Hoti po dështon të sjellë një mentalitet të ri në qeversje, i cili interesin e përbashkët e vendos para atij partiak.