free hit counter Digjitalizim të sistemit të punësimit dhe shkurtim të numrit të ministrive - PSD

Shqipe Pantina nga Partia Socialdemokrate dhe z. Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë mbajtur sot një konferencë të përbashkët për media, ku kanë shpalosur pjesë nga planprogrami qeverisës i koalicionit AAK-PSD për reformimin e administratës shtetërore si dhe synimin për ta miratuar Ligjin për Qeverinë, përmes të cilit shkurtohet numri i ministrive, zëvendësministrave dhe numrit ta panevojshëm të zyrtarëve qeveritarë.

Kandidatja për deputete dhe nënkryetarja e PSD-së, Shqipe Pantina, ka thënë se në kuadër të reformës së administratës, synohet në pikë të parë digjitalizimi i procesit të rekrutimit të punëtorëve, në sektorët e administratës shtetërore, arsimit e shëndetësisë.

“Synimi jonë për qeverinë e ardhshme, është që e para, të fillojmë digjitalizimin e procesit të rekrutimit. Kjo nënkupton se i gjithë aplikimi për të gjitha pozitat në administratën publike, e kur themi administratën publike, nënkuptojmë administratën shtetërore, pra ministritë, arsimin dhe shëndetësinë, do të bëhet në formë digjitale. Aplikimi do të jetë online dhe testi do të jetë baza e vlerësimit. Pra 70% e vlerësimit do të bazohen në testin, i cili do të bëhet në formë anonime. Pra aplikuesi do të ketë shifrën e vet dhe i gjithë vlerësimi do të bëhet pa e ditur emrin e kandidatit”, tha znj. Pantina.

Ajo shtoi se përmes këtij veprimi, qeverisja e ardhshme synon ta rrisë transparencën në punësim si dhe cilësinë në arsim dhe shëndetësi.

Ndërkaq Besnik Tahiri foli për Ligjin për Qeverinë, sipas të cilit do të shkurtohet numri i ministrive. Ai ka thënë se ekzistojnë dy versione të propozuara, ai me 12 ministri dhe si dhe tjetri me 15 ministri, që është propozim i preferuar nga vetë ai.

“Ligji për Qeverinë ëshë i përfunduar. Unë kam qenë kryetar i Komisionit për hartimin e këtij ligji. Ky ligj i ka kaluar të gjitha procedurat dhe në kam propozuar dy versione. Versioni me 12 ministri, që është një reformë rapide, të cilën unë nuk e mbështesë në parim sepse e çrregullon totalisht atë që kemi ndërtu qe 20 vjet. Versionin që unë e kam rekomandu te Kryeministri, është ai me 15 ministri”, ka thënë tutje zoti Tahiri para gazetarëve.