free hit counter Fondi zhvillimor, garancë e rritjes së përshpejtuar ekonomike - PSD

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, mbajtën sot konferencën e radhës për media, ku u prezantuan pjesë nga programi qeverisës për zhvillimin ekonomik të vendit, me përfaqësuesit z. Visar Ymeri nga PSD dhe z. Muhamet Spahiu nga AAK, të dy njohës dhe ekspertë të ekonomisë.

Z. Ymeri theksoi koalicionit AAK-PSD ka paraparë disa masa përmes të cilave do të mbështet zhvillimi i hovshëm ekonomik. Masë kryesore, tha ai, është fondi zhvillimor, për të cilin dha informacione shtesë për planin e ngritjes dhe implementimit.

“Ne i kemi paraparë disa masa përmes të cilave ekonomia e Kosovës do ta ketë një rritje të hovshme të zhvillimit, krahasuar me vitet e deritashme. Një prej masave kryesore është fondi zhvillimor. Fondi zhvillimor është një entitet, të cilin do ta themelojmë menjëherë pasi ta themelojmë Qeverinë, me kryeministër Ramush Haradinajn dhe i cili do të jetë entitet i pavarur, i themeluar nga Kuvendi, i qeverisur sipas praktikave më të mira të qeverisjes korporative dhe i mbikqyrur nga Kuvendi i Kosovës”, tha z. Ymeri.

Ndërkaq, z. Spahiu foli edhe për masa të tjera që kanë të bëjnë me mbështetjen financiare të bizneseve dhe lehtësirave fiskale për to. Ai theksoi se bizneset prodhuese do të jenë në fokus të qeverisë së re, të cilave do t’u zvogëlohen taksat sipas numrit të punëtorëve që rekrutojnë.
“Përveç fondit të punësimit dhe fondit të zhvillimit, të cilit i kemi dhënë pak theks më të rëndësishëm dhe më të qëndrueshëm te programi 100%, do të ndërmerren edhe një sërë masash, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me mbështetje financiare dhe lehtësira në politikat fiskale. Duke filluar prej politikave fiskale, kuptohet që fokus kryesor do të jenë bizneset prodhuese. Bizneseve prodhuese do t’u ulen taksat në të ardhura personale, për çdo të punësuar të ri”, tha z. Spahiu.

Z. Ymeri e z. Spahiu dhanë edhe tjera detaje për programin ekonomik të koalicionit AAK-PSD dhe iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve lidhur me temën për të cilën ishte thirrur konferenca, pa lënë anash edhe pyetjet për çështje të tjera.