Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj, dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, z. Shpend Ahmeti, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët pas takimit të kryetarëve dhe degëve të të dy partive.

I pari e ka marrë fjalën z. Ahmeti, i cili ka thënë koalicioni AAK-PSD ka krijuar një sinergji të gjerë në strukturat e të dy partive. Ai ka theksuar se koalicioni është pretendenti kryesor për t’i fituar zgjedhjet e përgjithshme.

“Sinergjia, fryma që është krijuar në degë, u vërejt edhe në tubimet që kanë qenë në degë, por edhe në takimin që u mbajt sot. Pothuajse jemi plotësisht të përgatitur për këtë sfidë dhe siç e kemi thënë edhe më herët jemi pretendenti kryesor, besoj se do të jemi fitues në këto zgjedhje”, ka theksuar z. Ahmeti para gazetarëve.

Z. Ahmeti, koalicionin AAK-PSD e ka vlerësuar si kombinim komplementar.

Ndërkaq, z. Haradinaj takimin me Ahmetin dhe degët e dy partive e ka vlerësuar si ndjenjë të mirë. Ai ka thënë se takimi ka qenë produktiv dhe është krijuar besimi se koalicioni është i gatshëm për zgjedhje dhe për marrjen e përgjegjësisë gjatë fushatës elektorale.

“Jemi të gatshëm për zgjedhje, jemi të gatshëm për përgjegjësitë që na presin këto ditë, dhe njëkohësisht jemi fitues. Kur po them që jemi fitues, ju siguroj që me organizimin tonë të përbashkët, fituesit janë njerëz të ngritur, punëtorë e profesionistë, atdhedashës, që e kuptojnë kauzën dhe situatën ku ndodhet Kosova”, ka theksuar z. Haradinaj.

Z. Haradinaj ka theksuar se më 7 shtator do të prezantohet oferta e përbashkët dhe lista e kandidatëve për deputetë të të dyja partive.