Partia Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë ditës së sotme kanë zyrtarizuar marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor. Përfaqësuesit e dy subjekteve politike nënshkruan këtë marrëveshje, e cila u prezantua gjatë konferencës për media, ku koalicioni PSD-AAK u vlerësua bosht i fitores.

Kryetari i PSD-së, z. Shpend Ahmeti, e quajti koalicionin me AAK-në bashkëpunim politik dhe elektoral. Ai bëri me dije se këshillat drejtues të dy partive kanë përkrahur këtë marrëveshje pothuajse pa fare zëra kundër.

“Ne po i bashkojmë forcat me AAK-në që t’i fitojmë zgjedhjet me një program të përbashkët qeverisës”, u shpreh Ahmeti, duke shtuar se koalicioni aktual mbetet i hapur për t’u zgjeruar dhe përforcuar me partitë të cilat janë përfolur me herët.

Ndërsa, kryetari i AAK-së, z. Ramush Haradinaj, theksoi se koalicioni PSD-AAK kishte për bazë qëllimet programore të dy subjekteve. Me këtë rast, ai falënderoi PSD-në për përkrahjen ndaj qeverisë së tij në vendimet e rëndësishme për vendin, siç ishte formimi i ushtrisë.

Edhe Haradinaj u shpreh i hapur për zgjerim të koalicionit, duke përmendur bashkëpunimin potencial me Nismën Socialdemokrate dhe Aleancën Kosova e Re.