Ne i përkushtohemi një shoqërie demokratike, duke ndarë bindjen se demokracisë duhet t’ia ruajmë statusin e parimit, si frymë organizimi brenda nesh, dhe si qeverisje në institucionet e Republikës. Për ne ajo është pikënisje dhe qëllim.
Demokracia si vlerë e koncept është mënyra më radikale për luftimin e mendësisë totalitare, si dhe për rishpërndarjen barazitare të peshës politike, mobilitetit social, mundësive dhe të drejtave. Për ne demokracia është përfshirje, forma e saj është rrethi, kështu menjanohet edhe ndarja midis përfaqësuesit dhe të përfaqësuarit. Ne angazhohemi që infrastrukura ligjore dhe sjellja institucionale në Kosovë të kenë natyrë afirmative; për të krijuar mundësi e hapësira për përparim shoqëror dhe përmbushje individuale, dhe kurrsesi kufizuese dhe disiplinuese.