free hit counter Na krypët! - PSD

Jemi dëshmitar të rritjes drastike të çmimeve të pothuajse të gjitha produkteve bazike të konsumit. Por, është një produkt që nuk është shtrenjtuar ende: kripa. Ekziston një arsye pse kripës në Kosovë nuk i luan çmimi; praktikisht, objekti i qeverisë është shndërruar në fabrikë të prodhimit të saj. Kryeministri e qeveria po na krypin çdo ditë. Na kanë krypur para zgjedhjeve, gjatë fushatës e pas zgjedhjeve. Na kanë krypë për punësimet familjare, tenderomaninë, negociatat me Serbinë, zhvillimin ekonomik, ikjen qytetarëve jashtë vendit, luftën ndaj oligarkëve e në çdo qëndrim tjetër publik të tyre.

Kjo është një krizë botërore, por secili shtet ka zgjedhur politika që ta zbus ndikimin e saj te ekonomia e vendit. Qeveria jonë po vepron vetëm pas reagimeve të qytetarëve. Ajo po i lëvizë këmbët sipas opinionit publik, pra nga presioni. Nuk ka parandalim, nuk ka ndërhyrje cilësore. Ka sanime dhe ato si mos më keq.

Prandaj, siç dha sugjerime Kurti, që qytetarët ta kthejnë në furra miellin e blerë, edhe ne sot i dërguam kripën që Kurti e ka shpërndarë deri tash.

Në këso kriza dallohen pushtetet. Këtu shihet nëse shteti është në anën e qytetarëve apo kompanive, të atyre që kanë shumë apo të atyre që kanë pak. Nuk ka nevojë për shumë shpjegim që ta kuptojmë se në cilën anë është kjo qeveri.

Thirrja jonë është e qartë; qeveria duhet të ndërhyjë urgjentisht. Sa më vonë që ka veprim, aq shumë dëm po mbajnë mbi supet e tyre qytetarët që kanë pak.