Këshilli Drejtues i Partisë Socialdemokrate, pas dy mbledhjeve, me 8 dhe 28 mars 2019, që për diskutim kishin format e organizimit të brendshëm që reflektojnë edhe parimet mbi të cilat vepron si subjekt; vendimin e parë që ka marrë që nga rifunksionalizimi i partisë, ka të bëjë me përfaqësimin e barabartë të grave e burrave në të gjitha nivelet vendimmarrëse, 50-50.
PSD nuk e lë që rrjedha spontane e rrethanave ku veprojmë ta rrëmbejë përpjekjen e projektit socialdemokrat për barazi. Vullneti politik, i përkthyer në mekanizma konkret, përkatësisht aksioni afirmativ, është fillimi i sfidimit të rendit patriarkal. Agjentët shoqërorë që kanë pikësynim një shoqëri të lirë e të barabartë, atë duhet ta kenë edhe si pikënisje. Hierarkizimi i problemeve sipas rrethanave elektorale, ka peshuar rëndom mbi shtresat, zëri i të cilëve nuk dëgjohet dhe të cilat rëndom vuajnë nga gjendja e rëndë ekonomike dhe shtrëngesat e shumta kulturore.
Ligjërimit publik, krahas trajtimit të drejtë duhet t’i bashkangjiten plane pune e strategji konkrete, në luftimin e pabarazive, seksizmit dhe shtypjes në baza gjinore, racore dhe moshore. Partitë politike nuk janë imune ndaj gjendjes shoqërore në të cilën veprojnë, por çështja është sesa ato refuzojnë t’i ndjekin rregullat konvencionale të asaj shoqërie.
Qëndron Kastrati, Kryetar në Komunën e Kamenicës dhe Nënkryetar i Partisë Socialdemokrate, si dhe Teutë Rrusta, anëtare e Kryesisë dhe udhëheqëse e Departamentit të Terrenit, sot prezantuan agjendën e PSD-së për barazi gjinore si brenda subjektit ashtu edhe përmes modelit të tyre qevrisës.
Kastrati tregoi sesi në Komunën e Kamenicës tashmë 54% e drejtorive udhëhiqen nga gratë, ndërsa në Komunën e Prishtinës 44%. Ndërsa Teutë Rrusta, bëri thirrje tek gratë e vajzat me bindje socialdemokrate të bashkohen në agjendën e tyre për barazi gjinore. 🌷