free hit counter Gjashtë muaj burg me kusht deputetit opozitar për posedim të gazit lotsjellës, gjobë për pushtetarët që gjuajnë me armë zjarri - PSD

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar sot deputetin Fisnik Ismailin me gjashtë muaj burgim me kusht për veprën “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Siç dihet, Fisnik Ismaili është dënuar me akuzën për posedim të gazit lotësjellës, në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015, në kundërshtimin e tij politik të ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe të marrëveshjes për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

Kjo përkundër faktit që tashmë Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se disa prej pikave të marrëveshjes për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Derisa në anën tjetër, Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe presidenti i Malit të Zi, z. Filip Vujanoviq, janë pajtuar për mundësinë e korrigjimit të Marrëveshjes për Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi, çfarë dëshmon edhe dyshimet e bazuara për gabimet në marrëveshjen për përcaktimin e vijës kufitare mes dy shteteve.

Vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore ndaj deputetit Fisnik Ismaili shpreh supremacionin juridik e politik ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ndaj vullnetit të 205 mijë qytetarëve të cilët shprehën kundërshtimin e tyre në peticionin kundër marrëveshjeve që cenonin qenësinë e Republikës.

Ky aktgjykim është i paqëndrueshëm, siç e dëshmoi edhe pamundësia e prokurorisë për ta dëshmuar akuzën për “pengim të personit zyrtar”. Por ai është sidomos absurd dhe jolegjitim, kur merret parasysh se po e njëjta gjykatë themelore ka shqiptuar së fundi dënim me gjobë për gjuajte me armë, në rastin e zëvendëskryeministrit Dardan Gashi, ministrit të Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala dhe ish-kryetarit të Skënderajt Sami Lushtaku.

Kjo mungesë e konsistencës dhe praktikat e pauinifikuara konfirmojnë edhe një herë padrejtësinë e vendimeve të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës.