Nepotizmi dhe klientelizmi po rriten në shkallë të lartë në institucionet publike edhe gjatë mandatit të qeverisë aktuale, të drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj. Kjo praktikë po rrënon mundësinë e punësimit sipas të drejtës dhe meritave, si dhe po i dëmton rëndë shërbimet e institucioneve të pavarura dhe funksionimin e ndërmarrjeve publike.
Në konferencën e sotme të Partisë Socialdemokrate, deputeti Dardan Molliqaj ka denoncuar punësimet familjare nga zyrtarët e lartë të partive në pushtet, të cilat po e vazhdojnë kapjen e shtetit. “Praktikat e tilla po cenojnë mundësitë e barabarta për punësim dhe po i paralizojnë ndërmarrjet publike duke i bërë ato edhe jofitimprurëse”. Ai i quajti të papranueshme punësimet e familjarëve nga ana e pushtetarëve, si dhe përpjekjen e tyre që ta paraqesin si legjitim këtë veprim joligjor.
“Ka hapësirë të mjaftueshme për t’i evidentuar shkeljet ligjore dhe për t’i filluar hetimet e prokurorisë në të gjitha punësimet, pasi që tashmë edhe është pranuar publikisht, se ata janë punësuar për shkak të lidhjeve familjare, apo lidhjeve të ngushta partiake”, ka thënë Molliqaj, duke sqaruar se Partia Socialdemokrate ka ndërmarrë iniciativën për një komision hetimor parlamentar lidhur me të gjitha këto punësime, të dhënat e të cilit do të dorëzohen në Prokurori.
Nga ana e tij, drejtori për Mirëqenie Sociale në komunën e Prishtinës, Dren Kukaj, në cilësinë e aksionarit në Ndërmarrjen Publike Banesore, paraqiti modelin e punësimit që ka zbatuar kjo ndërmarrje, sipas kritereve dhe standardeve të sugjeruara nga Ambasada e Britanisë së Madhe.
Dren Kukaj mori shembullin e Bordit të Drejtorëve në NPB, ku procesi është zhvilluar me standarde, që nga përzgjedhja e listës së ngushtë të kandidatëve e deri të intervistimi i tyre. Kjo ka rezultuar me një bord apartiak dhe profesional, që është një nga bordet e parë që e ka respektuar edhe kriterin gjinor. Drejtori Kukaj nënvizoi se komuna e Prishtinës dallon nga të gjitha institucionet e tjera publike edhe sa i përket rekrutimit. Ai ftoi që ky model të zbatohet edhe në institucionet e tjera të Republikës.