Si asnjë herë më parë, Policia e Kosovës, duke shkelur çdo normë, kryen operacione. Një veprim i tillë vetëm sa e rritë dyshimin për institucionin e policisë. 3 ditë më herët, Policia e Kosovës zbaton një urdhër nga Gjykata Themelore e Kosovës për të kontrolluar Ndërmarrjen Publike Banesore. Në një veprim të paprecedent, Policia e Kosovës, gjatë zbatimit të këtij urdhëri, ka shkelur çdo normë ligjore e çdo nen të Kodit Penal në këtë luftë speciale.
Fillimisht, siç nuk ka ndodh asnjëherë më parë, Policia e Kosovës kryen bastisje në një institucion publik pa i paralajmëruar mediat dhe sot e kësaj dite nuk ka lëshuar asnjë deklarim publik në lidhje me këtë. Por, siç u pa me konferencën e Vetëvendosjes sot, Policia e Kosovës ka angazhuar si zëdhënës të veten burrin e asistentes së kryeministrit Kurti i cili në atë konferencë kishte marrë peng edhe një deputet të parlamentit të Kosovës.
Së dyti, prej rreth 3 orësh bastisjeje, për 55 minuta Policia e Kosovës ka fikur kamerat e sigurisë përbrenda NPB-së dhe iu ka ndaluar qasjen zyrtarëve të saj në dy kate të ndërtesës. Kjo është shkelje flagrante dhe e rrezikshme e Kodit Penal që ngrit dyshimin se Policia e Kosovës ka shkuar aty për të montuar dëshmi e jo për t’i gjetur ato.
Kontrata në fjalë e NBP-së është konfirmuar edhe nga Gjykata Themelore e Kosovës edhe nga Gjykata e Apelit që është në përputhje të plotë me ligjet në fuqi. Por, këtu nuk kemi të bëjmë me një betejë ligjore. Ne jemi dëshmitar që pushteti i Vetëvendosjes ka instrumentalizuar e kriminalizuar institucionet e Kosovës, efektivisht duke i shndërruar ato në grupe banditësh, vetëm që të zhvilloj luftë të veçantë kundër Partisë Socialdemokrate dhe zyrtarëve të saj.
Policinë e Kosovës e inkurajojmë që të hetoj NBP-në sepse nuk kemi asgjë për të fshehur. Por, shkeljet ligjore, futjen në institucione si grupe banditësh duke fikur kamerat e duke iu ndaluar zyrtarëve të NPB-së qasje në objekt, asnjëherë nuk do ta lejojmë.