free hit counter Shpallja e Manifestit - PSD

Sot shpallëm Manifestin, dokumentin e parë të partisë si mënyrë e të menduarit, si angazhim politik për progres e barazi, si mundësi për një shoqëri më të drejtë e të lirë.

Për neve politika nuk është as “arti i së mundshmes”, që raportin e forcave dhe historinë e popujve i sheh si kufinjë të pakalueshëm; por as si “fundi i historisë”, subjekti i të cilit e parafytyron fundin e kontraditave prej autoritetit shkencor që sheh zhvillimin e botës në një trajektore lineare.

PSD refuzon të jetë kalkuese përbrenda realpolitikës dhe pararoje që ka çasje në fatet e historisë; Në vend të rehatisë së rrezikshme që ta japin këto dimenzione garantuese, ne kemi zgjedhur ankthin e rimendimit të vazhdueshëm – vet dënimin e lirisë.

Arritjet shoqërore historikisht e pashmangshmërisht janë prodhuar nga lufta e pandashme e pjesëve të panumëruara të shoqërisë, të cilët i kanë ikur provës morale si instancë matëse. Pafuqia e gruas e burrit, pavarësisht orientimit seksual, identitetit gjinor apo kombësisë, në refuzimin e tyre të shthurur nga morali ngurthyes kanë gjeneruar pushtet. Rezistenca e tillë është e paparashikueshme, prandaj e rrezikshme për rendin që shtyp e minon në shumë dimenzione, tejpërtej klasës, gjinisë, kombit.

Për Kosovën, kryefjalët “barazi mes popujve” dhe “paqja e përhershme” janë horizontet drejt progresit. Kosova kaloi nga pushtetet që përqafuan idenë se vetëm duke harruar historinë mund të ecim përpara e drejt e në një pushtet që po na thotë që të jemi të gatshëm për sulmin e ardhshëm. Të dyja këto çasje nuk sollën as zgjidhje, as barazi e as paqe.

Rruga që qon drejtë zhvillimit të Kosovës është bashkëpunimi rajonal e jo mbyllja në kufinjtë e shtetit. Por, për t’u bërë pjesë e çfarëdo bashkëpunimi të tillë, na duhet që të arrijmë marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, ku njihet subjektiviteti i njëra-tjetrës dhe vendoset paqja që hap rrugën për zhvillim. Njohjen e paqen nuk e shohim duke u arritur me mirëmbajtjen e status-quos e as me marrëveshje që brenda saj ka Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe. Të dyja prodhojnë regres. Njohja e vullnetit të popujve për vetëvendosje, që nënkupton ndarje përfundimtare e njohje e ndërsjelltë e subjektivitetit të shteteve nëpërmjet ripërcaktimit të kufinjve, është rruga përpara. Është mundësi, horizont për paqe dhe progres.

Manifesti hap rrugën tonë përpara; besimin e sinqertë që shoqëria e jonë si vlerë të sajën të ketë barazinë e drejtësinë, zhvillimin e luftën ndaj shtypjes e shfrytëzimit. Këtë besim, këtë fjalë të dhënë, detyrohemi ta bëjmë vepër, e cila flet e merr rrugë ndër njerëz.

 

Manifestin mund ta lexoni këtu