free hit counter Sot shënojmë ditën e mësuesit, 7 marsin! - PSD

Duke i përkujtuar dhe nderuar të gjithë ata breza që dhanë kontributin e tyre në shërbim të dijes, gjithë sakrificën e bërë në çdo rrethanë që arsimi shqip të triumfojë, ua uroj të gjithë mësuesve 7 marsin.

Kjo ditë, sot, mësimdhënësit dhe arsimin e gjen në situatë të vështirë. Në vend të politikave që mundësojnë sistem arsimor të mirëfilltë dhe progresiv, sot kemi një qeverisje që arsimin e ka shndërruar në instrument politik. Në vend të përpjekjes për ta rritur cilësinë, është rritur përpjekja për ta kontrolluar gjithë sistemin arsimor. Duke i frikësuar dhe shantazhuar mësimdhënësit, i hiqet arsimit dimensioni më i rëndësishëm – kultivimi i guximit për t’u shprehur lirshëm. Çdo përpjekje për riorganizim të sistemit arsimor, qeveria e lufton me të gjitha mjetet për qëllime të ulta partiake, madje duke shkelur dhe Kushtetutën. Pa plan dhe pa organizim, sistemi arsimor është degraduar si kurrë më parë. E drejta universale për tu shkolluar të gjithë, po vështirësohet çdo ditë, meqë kjo qeveri me iniciativat e saj po e favorizon arsimin privat para atij publik. Kështu rrezikohet dhe cilësia dhe numri i atyre që duan të shkollohen.

Duke i falënderuar të gjithë mësimdhënësit për rezistencën e treguar para çdo regjimi, edhe ndaj këtij regjimi sot, i ftoj të jenë unikë dhe të mos zmbrapsen para asnjë përpjekje autoritare për t’i disiplinuar. Dija nuk mund të jepet ndryshe, veç lirshëm dhe në liri.

Urime 7 marsi!