free hit counter 8 Marsi i grave është 8 marsi i protestës - PSD

Shumë përpjekje dhe fitore, disa humbje dhe shumë mësime; lot dhe gëzim; rrëfime vuajtjesh, djersë dhe vdekje.  8 Marsi ka në vëmendje gratë që u organizuan, ato që u arrestuan, ato që ngritën zërin, dhe ato që u vranë për shkak se mënyra e tyre e jetesës ishte edhe protestë. 8 marsi dhe nderimi i luftës për barazi, duhet ta ketë mundësinë e tij të aktualizimit dhe konkretizimit në kontekste e hapësira të ndryshme politike e socio-kulturore.

 

Së këndejmi, 8 Marsi në Kosovë i bashkohet protestave që kanë marrë përmasa mbarëbotërore që luftojnë për subjektivimin e gruas si e barabartë në privatën dhe publikën, si hapësira që nuk duhet të qëndrojnë as të ndara as të kundërta.

 

Familja e mbyllur, me plot dhunë e abuzime nuk do të ishte e tillë pa një “kontratë” të heshtur shoqërore që patriarkalizmin e ruan pa e futur në konflikt me diskursin politikisht korrekt. Prandaj, duhet t’i ndriçojmë hapësirat e errësuara private ku dhuna gjinore e bën ligjin, por edhe ta dekonstruktojme hapësirën publike të mbushur me ideologji.

 

Në anën tjetër, romantizimi i rolit të gruas si nënë e si motër, si grua, ka dimensionin e tij eksploatues, por i cili fshihet prap raporteve që obligojnë duke u thirrur në natyrën e gjërave.

 

Punësim dhe aktivizim – feminizmit që ka në qëndër politikat e përfaqësimit, për të mos mbetur i kufizuar në elitat shoqërore duhet të përcillet me angazhim e politika përfshirëse që kanë në qendër gratë e periferisë dhe ato të zonave rurale.

 

Ne duhet të jemi në kërkim të praktikave të reja politike, pra të një udhë ku krejt çka njohim sot si rend normal i gjërave të përmbyset, në tërësi. Transformimi feminist kërkon një dalje prej përpjekjes për institucionalizim të kauzës. Përparimi në aspektin e drejtësisë sociale në nivel ligjesh është i domosdoshëm, por realiteti çdo here duhet të jetë hapa përtej.Nuk guxojmë që ilizioni që vije nga urgjenca për ndërrimin e kushteve të jetesës të ushqehet nga populizmi në ardhje.