E kemi përgatitur një vendvotim kajstile për zotërinë e tij. Por, nuk erdhi. Kurti nuk votoi sot në referendum për bashkim. Ai po fshehet diku në labirintet e godinës shumëkatëshe qeveritare. Secili hap që e bën po na e kujton një hap tjetër që s’po e bën. Kauzat e braktisura janë hijet që po e ndjekin kryeministrin tonë në ekzil.
Një përpjekje shoqërore që nuk sjell progres, domosdo do të rezultojë me disponim cinik e arsyetim nihilist. Epilogu i angazhimit shumëvjeçar po kthehet në vendin e njëjtë. Kemi qerthull vetëpërsëritës ku pengesat nuk përballen, por shërbejnë si arsyetime për të mos bërë asgjë. Braktisja e kauzave ia humb kuptimin angazhimit politik. Është dorëzim i politikës tek reaksioni, tek suksesi individual. Ky është rasti i Kurtit, ky është mësimi i tij.