free hit counter Gjykata Speciale - domethënia dhe pasojat - PSD

Shoqërisë sonë i takon shteti sepse ne e duam lirinë. Kaq e thjeshtë është kjo punë. UÇK është prova kryesore për këtë. Ajo është pika më e lartë e përpjekjes kolektive, por edhe thyerje e ligjeve të situatës. Pritja pa fund për një ditë tjetër, pas një zhvillimi diku tjetër, u përmbys për t’iu kthyer veprimit tash dhe këtu. Guximi është parimi udhëheqës kur rrezik, mjegull e mister kemi para nesh. Guximi është në anën e Ngjarjes. Frikacakët s’bëjnë dot as luftë as përballje në dialog. Veprimi i tyre i vetëm është ikja.

Kosova gjendet në fazën e përmbylljes së subjektivitetit të vet ndërkombëtar. Një marrëveshje përfundimtare me Serbinë ka kohë që flitet.  Gjykata Speciale, e imponuar padrejtësisht dhe e votuar gabimisht 5 vite më parë tash ka nisur të veprojë. Gjykata Speciale tashmë ka dëmtuar rëndë Kosovën. Ajo e ka devijuar dhe po e devijon përballë opinionit ndërkombëtar të vërtetën e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Më tepër se kaq, ajo po bëhet mekanizëm i ndërhyrjes politike në dialogun Kosovë-Serbi. Pikërisht në vigjilje të këtij momenti ka nisur një sulm mbi mbarë strukturat udhëheqëse të UÇK-së. Kur prej procesit pritet jo më pak sesa ulësja në OKB dhe kësisoji përmbyllja e subjektivitet ndërkombëtar, ku goditet është themeli autentik i këtij projekti.

Kjo Gjykatë është kundër parimeve themelore të drejtësisë. Ajo është diskriminuese sepse është një-etnike. Duke qenë kështu, efekti i saj s’mund të jetë vendosja e drejtësisë, por inkriminimi. Kjo Gjykatë e ndan mespërmes sistemin tonë gjyqësor. Kështu ajo cënon edhe përpjekjet shtetndërtuese.

Sigurisht, secila shkelje e ligjeve të luftës duhet dënuar, pavarësisht në cilën anë është viktima. Por, ne e quajmë humanizëm cinik këtë pozicion që i trajton viktimat të shkëputur nga kushtet e rrethanat që prodhuan luftën. Pushtimi, segregimi e shfrytëzimi nga Serbia është shkaku i luftës. Prandaj, vetëm në dritën e barazisë politike, viktimat do të prehen të qetë e popujt do të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin.
Por, pavarësisht përpjekjeve të mëdha nga Serbia e faktorët e jashtëm, gjyqi ndaj UÇK-së nuk do të ishte i mundur pa një kontekst të brendshëm të përshtatshëm. UÇK nuk është thjesht një ngjarje politike e shënuar dikur. Ajo është pikë që duhet mbajtur fort edhe sot. UÇK është emri i pallogaritshëm sepse është emri i sakrificës. Kush ndërron drejtim sipas hënës së llogarive politike të momentit duke futur UÇK-në në këto llogari është kumarxhi që s’mund t’i besohet. Ata që e japin UÇK-në, në emër të flamurit antikorrupsion bëjnë vetë veprim të korruptuar. Antikorrupsioni është kritikë sipërfaqësore dhe shënjues i dobët. Duke shmangur diskutimet mbi modelin ekonomik e pabarazitë, ai na sugjeron një lidhje shkak-pasojë midis gjendjes së rëndë ekonomike dhe korrupsionit. Ta ndërmjetësosh UÇK-në për anti-korrupsionin është një oportunizëm i shitur si strategji. Sepse strategjia për nga natyra vepron me hipotezat e zhvillimeve të së ardhmes, kurse koha e UÇK-së, si e secilës ngjarje është TASH. Ose Gjykata Speciale ose UÇK-ja.

Gjykata Speciale është votuar në vitin 2015. Kushdo që e ka votuar atëherë ka dëmtuar rëndë interesin e Kosovës. Por, nuk janë më pak të dëmshëm ata që teksa fërkojnë duart, fshehen pas atij votimi duke iu gëzuar eliminimit të rivalëve politik sot. Nese kemi aq shumë pajtim mbi dëmin që shkakton kjo Gjykatë, s’ka asnjë arsye pse të mos i mbledhim forcat për ta shfuqizuar këtë trup të huaj. Kosova vet duhet të vendosë drejtësi. Për të gjithë dhe secilin!