Dje në Shkup u nënshkrua një marrëveshje dhe dy memorandume. Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia u pajtuan për rritjen e tregtisë përmes heqjes së barrierave, për lehtësim të çasjes në tregun e punës brenda tri vendeve, ndërkaq marrëveshje e tretë flet për ndihmën e ndërsjellë në raste katastrofash. Open Balkan është emri i ri nismës që pret bashkimin edhe të vendeve tjera.
E shkuara na mëson se secili bashkëpunim midis nesh që nuk ka pasur si pikënisje barazinë midis popujve dhe njohjen e subjektivitet të secilit, ka përfunduar pa sukses, jo rrallë me konflikte.
Premisa politike është e rëndësishme, por ajo nuk është garancë për sukses. Vendet e Ballkanit janë në nivele të ndryshme të zhvillimit. Mbyllja e syve përpara këtij fakti është hapje për rritjen e dallimeve e të pabarazisë. Vuçiq diskutonte në Shkup me pragmatizmin e tij ekonomik, duke aluduar se nga kjo përfitojmë të gjithë. Rama në anën tjetër po u jepte leksion kulture “prapanikëve” nga Kosova. Open Balkan na qenka jetësimi i 4 lirive të BE-së. Mirë, por 4 liritë e BE-së kanë prodhuar dallimet qendër-periferi, kurse varfëria prej tyre mllef e tokë të plleshme për lëvizjet ksenofobe e neo-fashiste të Evropës. 4 liritë e BE-së bashkë me monedhën e përbashkët e kanë prodhuar Gjermaninë fuqi ekonomike në botë, por edhe Greqinë, Spanjën apo Portugalinë të zhytur në borxhe e buzë bankrotimit.
Në anën tjetër, Qeveria në Prishtinë është krejt e çakorduar. Ajo publikisht nuk i përgjigjet thirrjes në fjalë, por pikërisht dy ditët e fundit ka marrë dy vendime që janë brenda të njëjtës linjë. Ajo i ka përfshirë qytetarët e Serbisë dhe Malit të zi në kuadër të rregullativës ligjore që u’a mundëson kalimin e kufirit dhe qëndrimin prej 3 muajsh në Kosovë pa vizë, kurse vendimi tjetër ka të bëjë me heqjen e taksës anti-damping ndaj Serbisë për produktet me bazë argjile. Qeveria poashtu nuk ka treguar në çfarë konsiston propozimi EEFTA. A e ka ky propozim si kusht njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi?!
Rajoni ynë mund t’i lë mbrapa armiqësitë vetëm kur mëson se ato nuk vinin nga dallimet identitare, por ishin rezultat direkt i shtypjes e dominimit. Një projekt i përbashkët ka themele të sigurta vetëm kur ai bazohet nga statusi i barabartë i popujve brenda tij. Ai do të kishte sukses kur qëllim kryesor është mirëqenia e njerëzve dhe bashkëjetesa dhe jo xhiroja e fitimit. Ballkanit i duhet një bashkëpunim rajonal i majtë.