Për komisarin Lajçak, Kosova dhe historia e saj me harta dhe kufi nuk është ngjarje e përfunduar dhe Kosova nuk është çështje e lirisë së popullit, por e balancave dhe neutralitetit. Përmes të dërguarit të tij, BE në fakt nuk është as neutrale, duke qenë se ky neutralitet i shërben Serbisë. BE edhe më tej vazhdon ta konsiderojë Kosovën të pabarabartë edhe në rrafshin politik edhe në atë tregtar, ekonomik.
Bile edhe sot, nga përpjekja e Lajçakut për t’u munduar që të sqarohet rreth qëndrimeve të tij ne mund të shohim në fakt konfirmimin e po të njëjtës padrejtësi si më herët; Sipas Lajçakut, që do të thotë sipas BE-së, kufiri në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk është kufi shtetëror, pra në mes të dy vendeve të barabarta, por administrativ, pra ku Kosovës nuk i njihet pavarësia dhe sovraniteti i saj karshi Serbisë.
Emisari Lajçak nuk është thjeshtë një përfaqësues i Bashkimit Evropian për të ndërhyrë në negociata; ai tashmë ka ndërhyrë dhe është bërë emri dhe fytyra e nismës për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me të drejta ekzekutive.
Emisarit Lajçak duhet të ja përkujtojmë që Republika e Kosovës ka shpallur pavarësinë, ka kufinjë të qartë shtetëror me vende fqinje të saja, ka institucione të pavarura e simbole shtetërore dhe është e njohur botërisht nga shumica e shteteve që janë vende anëtare të OKB-së bile edhe shumica e vendeve të BE-së. Këto fakte janë të patjetërsueshme dhe nuk duhet të lejohet që në asnjë mënyrë që ato të cënohen e zhbëhen.