free hit counter Fitorja e Socialdemokratëve në zgjedhjet evropiane është interes për Kosovën; për një Evropë më barazitare, solidare, humaniste, integruese, funksionale dhe të ribashkuar - PSD

Letra e sotme mbështetëse e kryetarit Shpend Ahmeti dërguar kryetarit të Partisë së Socialistëve Evropianë, z. Sergei Stanishev, në vigjile të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.

I nderuar President Stanishev,

Në vigjile të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, më lejoni që t’ju uroj suksese në këto zgjedhje, të gjithë anëtarëve të Partisë së Socialistëve Evropianë (PES ) dhe të urojmë bashkërisht një Parlament Evropian Socialdemokrat. Këto zgjedhje janë një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për të gjitha forcat progresive politike në Evropë dhe globalisht, meqë vijnë në një kohë jo pak dramatike dhe jo lehtë të parashikueshme, politike në kontinentin tonë. Është në interesin e Bashkimit Evropian, veçanërisht të potencialit të tij emancipues, që vlerat politike që mbizotërojnë të mbesin ato që e krijuan – barazia, paqja e solidariteti mes popujve, të përbrendësuara këto në marrëdhëniet mes shteteve, si rrugë e vetme drejt mirëqenies dhe bashkëjetesës. Është veçanërisht në interesin tonë si socialdemokrat në Kosovë, në Ballkan, vend këto ku zhvillimet politike në BE kanë reflektim e ndikim të drejtpërdrejt, që partitë socialdemokrate të vendeve anëtare të korrin sukses dhe ta ndikojnë kursin e politikave të vendeve të BE-së karshi rajonit.

Më lejoni të shpreh pajtimin tonë të plotë me parullën elektorale tuajën në këto zgjedhje evropiane. Ballkani Perëndimor është goditur drejpërdrejtë nga kriza ekonomike e 2008. Investimet e huaja të synuara nga privatizimet nuk erdhën. Vazhdimi i efekteve të krizës financiare të cilat shkaktuan kursime buxhetore e varfërim të shërbimeve për qytetarët, të cilat pastaj e rriten pakënaqësinë e pesimizmin e qytetarëve, që shërbeu si tokë pjellore për rritjen e diskursit popullist e ksenofob të ekstremit të djathtë, kanë sjellur nevojën për Një Kontratë të Re Sociale për Evropën. Një Evropë që e pamundëson urrejtjen ndaj tjetrit duke përqafuar solidaritetin; Një Evropë që e mund nacionalizmin (dhe seksizmin) duke insistuar në përbashkësi e barazi, Një Evropë që e flak tutje frikën duke dhënë shpresë. Dhe duke pasur guxim. Me fjalët e Robert Schumann “Paqja botërore nuk mund të ruhet pa përpjekjen kreative e cila është proporcionale me rrezikun që e kërcenon këtë paqe”. Kështu Bashkimi Evropian dhe vlerat që ai përfaqëson nuk mund të ruhen e as të avansohen pa kundërshtimin e padyshimtë ndaj projekteve politike që i kërcënojnë dhe i rrezikojnë ato. As përmes përshtatjes së pjesshme me këtë diskurs, me shpresë që këto forca të lihen pa kauza. Aq më pak me dorëzimin ndaj frikës populliste që po ndërtojnë këto forca politike.

Për 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, një BE e hapur dhe e interesuar është jetike. Sinjalet që kanë ardhur kohëve të fundit për shkak të zhvillimeve politike brenda vendeve të BE-së janë shqetësuese. Ngadalësimi dhe mjegullimi i perspektivës integruese në BE për vendet tona, apo edhe më keq, heqja dorë fare nga zgjerimi, do të nënkuptonte një rajon shumë të paparashikueshëm e pre të rritjes së ndikimit të forcave politike e interesave gjeostrategjike, të cilat e rrezikojnë jo vetëm rajonin, por edhe më gjerë. Prandaj është tejet e rëndësishme që Parlamenti dhe Komisioni i ardhshëm i BE-së, por edhe vendet anëtare me ndikim, ta realizojnë premtimin e Komisionit aktual për zgjerimin e ardhshëm të BE-së deri më 2025, që nënkupton se Komisioni i ardhshëm duhet t’i ketë mbyllur negociatat me disa shtete dhe deputetët e parë nga Ballkani perëndimor t’i kenë zënë vendet e tyre si vëzhgues para zgjedhjeve të vitit 2024. Gjithnjë për ta kthyer shpresën e perspektivën për popujt e Ballkanit Perëndimor. Është po aq e rëndësishme që PES ta rrit praninë e angazhimin nëpër vendet e rajonit në mënyrë që forcat progresive këtu të fitojnë hapësirë e të fuqizohen në përballjen e tyre me politikat në rritje të nacionalizmit shovenist, përgjegjës për luftërat e përgjakshme të viteve ‘90.

Sepse sot nuk është vetëm problem paqja midis komuniteteve në Ballkanin Perëndimor, por edhe katastrofa demografike që po e kërcënon tërë rajonin. Ekzodi i tanishëm i qytetarëve të Ballkanit Perëndimor është dëshmia më e mirë e nevojës së një iniciative të re të Bashkimit Evropian për ta jetësuar dhe zhvilluar premtimin e dhënë në Selanik më vitin 2003.

Mungesa e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, kriza greke, kriza e refugjatëve dhe Brexiti kanë dëshmuar tashmë nevojat për rimendimin e Bashkimit Evropian, më solidar, humanist, integrues, social, funksional dhe të (ri)bashkuar. Kjo është mbi gjithash përgjegjësi që duhet ta marrë socialdemokracia evropiane dhe partnerët e saj të gjelbërt.

Si pjesë e kontinentit evropian, Ballkani Perëndimor, e sidomos Republika e Kosovës, nuk duhen parë si një tampon zone, një “limes” e gjerë e periferisë, që e kërcënon Bashkimin Evropian, apo edhe që e mbron atë nga refugjatët dhe migrantët.

Duke filluar më 27 maj, ne si Parti Socialdemokrate në Republikën e Kosovës mezi presim që bashkë me një Parlament dhe Komision Evropian progresiv t’i përvjelim mëngët dhe ta materializojmë sa më parë perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës. Qytetarët e Kosovës presin që menjëherë pas zgjedhjeve evropiane, BE ta mbajë premtimin e dhënë për liberalizimin e vizave, kushtet e të cilit Republika e Kosovës i ka përmbushur që moti. Një sinjal i qartë dhe i vendosur pozitiv për perspektivën evropiane të vendit tona nga Brukseli do ta ndihmonte edhe procesin e Dialogut me Serbinë dhe do t’i hapte rrugë zgjidhjes së kontestit midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, e cila po mban peng të ardhmen evropiane të rajonit për dy dekada.
Prandaj na duhet një PES i fuqishëm në Parlament dhe në Komision. Na duhet një Zë ndikimplotë politik në institucionet e BE-së që insiston ta kthejë vendimmarrjen kah interesat e popujve, mirëqenia e tyre dhe barazia mes tyre. E jo politika pyke që e rrisin hendekun mes të pasurve (përherë e më të pasur) e të varfërve (përherë e më të varfër), që i ndajnë rolet shoqërore për burrin (dimensioni publik) e gruan (sfera private), që i ndajnë popujt e largojnë popujt mes vete. Evropës i duhet Bashkimi. Rajonit i duhet Bashkimi Evropian. Popujve u duhen vlerat evropiane. Të gjitha këto i duhen PES-it. Për të gjitha këto na duhet fitorja e PES-it.

Urime!

Shpend Ahmeti, kryetar
Partia Socialdemokrate