Sot është Dita Ndërkombëtare e Romëve, dita për të drejtat e tyre. E megjithatë, ironia me këtë ditë janë vetë romët përballë “ditëve ndërkombëtare”. Janë shtetet-kombe instancat për të realizuar qëllimet e shprehura ndërkombëtarisht. Nuk do të themi se instrumentet ndërkombëtare kanë peshë aq sa romët, por se romët janë prova më konkrete e kufijve të shtetit modern. Ata janë brenda territoreve, por janë jashtë komunitetit të qytetarëve. Kush nuk ngulitet nuk jeton…
Nëse lejojmë të na e fshijnë xhamin në semafor, shumë kujdesemi që mos t’na e prekin dorën kur ia japim 20 cent. Romët janë të padukshëm kur qëndrojnë në distancën e duhur fizike ndaj nesh, por janë fort të pranishëm teksa na mbushin me bezdi e siklet kur i kemi afër.
Ata janë shkrirja historike e figurës së mohuar. Janë racë dhe klasë njëkohësisht. Paragjykimet arsyetojnë përjashtimin, të qenit të përjashtuar rrit paragjykimet. Gjithçka ndodh para syve tanë. Të gjithë ne jemi përgjegjës për këtë qerthull riprodhues ku janë zhytur romët. Politika për mungesë veprimesh, shoqëria për mungesë solidariteti.
Të dhënat tregojnë se pandemia i ka rritur dinamikat ekzistuese të shtresëzimit shoqëror. Komuniteti rom është ndër më të rrezikuarit. Më të rrezikuarit sepse kanë më pak qasje në kujdes shëndetësor; sepse kanë më pak për të përballuar shpenzimet që kërkon kurimi; sepse imuniteti i tyre është i mekur sikur jeta e këputur që e bëjnë.
Të afirmojmë: një rom është njëri prej nesh! Në solidaritet!