Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konstatuar të drejtë nismën për amendamentimin e Kushtetutës me Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje.
Më 22 tetor 2018, deputetja e Partisë Socialdemokrate dhe nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti, me mbështetjen e 80 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe përmes Kryetarit të Kuvendit, kishte inicuar kërkesën për vlerësimin e kushtetueshmërisë nga Gjykata Kushtetutese, për propozim amendamentin kushtetutes, për t’ia shtuar një paragraf të ri, pas paragrafit 8 të nenit 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] të Kushtetutës, respektivisht të shtohet edhe paragrafi 9, si në vijim:
“(9) Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje”.
Gjykata konstatoi se kjo nuk zvogëlon asnjë nga të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës dhe për më tepër, ky amendament vetëm i avancon dhe i zhvillon këto të drejta.
Kjo konventë cakton standarde të rëndësishme në fushën e dhunës kundër grave dhe do të duhej të bëhej pjesë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Konventa ka në qëllimin e vet “mbrojtjen e grave nga të gjitha format e dhunës, si dhe parandalimin, ndjekjen penale dhe eliminimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje”.
Përmes kësaj konvente, Shteti i Republikës së Kosovës siguron tolerancë zero ndaj dhunës kundër grave. Shteti duhet të ketë përgjegjësi nëse nuk i përgjigjet shkeljes të të drejtave të njeriut që i parasheh kjo konventë.
Konventa e trajton dhunën ndaj grave si vepër penale dhe ajo nuk do të mund të arsyetohet në bazë të kulturës, zakoneve etj.
Ajo siguron masa të posaçme mbrojtje gjatë hetimit dhe proceseve gjyqësore, si dhe përgjigje të shpejtë thirrjeve për ndihmë ndaj dhunës.🌹