Gjykata Kushtetuese nuk ka punë me zgjedhjet dhe vullnetin politik të qytetarëve. Ajo po bëhet mjet presioni dhe organ disiplinimi për politikanët. Drejtësia, përpara se të bëhet normative, duhet të jetë komunikimi i parimeve të barazisë dhe universalitetit.
Gjithçka na ndan me Albin Kurtin. Me botëkuptimin e bindjet e tij. Jemi të bindur se profili i tij ideologjik do të prodhojë një model qeverisës që ka nevojë për rezistencë.
Por, vendimet arbitrare shtetërore nuk janë rrugë as mënyrë për ta privuar askënd nga jeta politike. Për më tepër, çfarë kërkohet këtu është disiplinim më tepër sesa ndalim. Deputet nuk mund të jesh, por kryeministër edhe bëhesh. Zmbrapsja para këtij absurdi është pranim i shantazhit disiplinues. Ku i dihet, e shohim pastaj nëse vërtetë je zgjedhur kryeministër.
Për fund, vendimi i Gjykatës është skandaloz në parim. Vepër penale mund të jetë edhe një aksident komunikacioni. Ky lloj kufizimi është privues ndaj lirive politike të qytetarëve. Vendimi motivon konformizëm dhe dëgjueshmëri për këdo që vepron politikisht. Politika është hapësirë lirie që duhet ta zgjerojmë, dhe jo kufi e ndalesë ku veprimi penalizohet.
Ligji është ndalesa që teksa shumëfishohet e përgjithësohet bëhet normë. Edhe një herë e shohim gjënë e njëjtë, sërish shpjegimi i njëjtë mbetet. Është ligji që e prodhon mëkatin dhe jo e kundërta. Prandaj përparimi shoqëror ka qenë historikisht në konflikt me ligjin që konservon dhe mirëmban gjendjen ekzistuese.