Kanë kaluar disa ditë që kur pranë Komisionit për Integrime Evropiane, ministrja znj. Dhurata Hoxha, mes tjerash kishte raportuar edhe për kontratën me “Madison Global Strategies LLC”. Aty ishin ngritur shumë çështje dhe pyetje e dyshime nga deputetët karshi kësaj kontrate, për të cilat u raportua edhe në media.

Partia Socialdemokrate e cilëson këtë kontratë të papranueshme dhe me një serë problemesh, për çfarë ministrja znj. Dhurata Hoxha duhet të sqarohet dhe të jape përgjegjësi. Në një konferencë për media të mbajtur sot, nënkryetari dhe deputeti i PSD-së, z. Visar Ymeri, listoi problemet e kësaj konrate.

Zoti Ymeri theksoi se kjo kontratë ndonëse tentohet të paraqitet si përpjekje e qeverisë për të forcuar pozitat e Kosovës brenda vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, obligimet nga kontrata e nënshkruar thuhet të jenë krejt tjera. Kjo pasi që në përshkrimin e kontratës nga firma amerikane “Madison Global Strategies LLC”, e publikuar pranë agjencisë së Departamentit Amerikan të Drejtësisë,  flitet për takime me anëtarët e Kongresit dhe Administratës amerikane.

“Përmes kësaj kontrate Ministria e Integrmeve e ka marrë rolin e MPJ-së. Përmes kësaj kontrate Hoxha dhe Ministria i kanë kaluar kompetencat e veta. Ministria do të duhej të përqendrohej të procesi i integrimit në BE, e jo të merret me lobim”, shtoi ai.

Më tej, Ymeri vuri në dukje se problematike në këtë kontratë është edhe fakti se në të figuron se institucioni të cilin do ta përfaqësojë firma lobuese “Madison Global Strategies, LLC”, është Ministria e Integrimeve Evropiane, mirëpo emri i zyrtarit me të cilin “do të merret vesh regjistruesi apo firma” është Kadri Veseli, që është kryetar i Kuvendit.  Pra, gjë që dokumenton përzierje të pushteteve, por edhe ngrit dyshime të keqpërdorimit të fondeve publike për interesa partiake apo për qëllime të forcimit të pozitës së Kadri Veselit.

“Në mënyrën se si kjo kompani e ka raportuar kontratën në departamentin e shtetit, janë dy çështje problematike, kur është vendosur emri – është vendosur emri i Kadri Veselit në këtë kontratë, pra emri i kryetarit të PDK-së. Kjo kontratë më shumë do i shërbej Partisë Demokratike sesa Ministrisë së Integrimeve Evropiane”, deklaroi Ymeri.

PSD do të ndjekë gjitha hapat e mundshëm në kuadër të përgjegjësive tona për ta hetuar deri në fund këtë çështje. Nuk do të tolerojmë në asnjë formë jotransparencën në shpenzimin e buxhetit të Republikës së Kosovës dhe keqpërdorimin e parasë publike.