free hit counter Në shënjestër është lufta për liri - PSD
Gjykata Speciale e ka në shënjestër luftën për liri. Aktakuzat e kanë bazë dyshimi vetë strukturën e UÇK-së. Ato fillojnë me drejtuesit politikë të Shtabit të Përgithshëm, Hashim Thaçi e Jakup Krasniqit, për të vazhduar me Kadri Veselin e Rexhep Selimin, anëtarë të shtabit. E dimë po ashtu se në proces janë komandantët e zonave, e deri tek brigadat e batalionet. Në fakt, secili që ka guxuar ta luftojë Serbinë është i dyshuar. Secilit që i shkon mendja nesër ta bëjë këtë duhet të frikësohet.
Sot që po i shohim pasojat e rënda për të tashmen dhe të ardhmen, na duhet mbrojtje e parezervë për UÇK-në, por jo solidaritet i viktimës. Kjo Gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015. Secili që sadopak i ka kontribuar themelimit të saj ka përgjegjësi historike. Momenti tjetër është ai i vitit 2017 kur iniciativa në Kuvend po e kërkonte zhbërjen e saj. Në këtë moment, vajtuesit e para dy viteve i pamë e i njohëm. Po e shohim edhe sot që kundërshtimi i tyre është thjesht strategji për pushtet.
Institucionet e vendit nuk mund të fshihen nën frazat e korrektësisë së ndarjes së pushtetit. Pushtet në demokraci vërtetë balancohen reciprokisht. Sigurisht që gjyqësori është autonom në punën e tij. Por, asnjë Gjykatë, as Gjykata Speciale nuk mund të jetë e pavarur nga shteti dhe jashtë kornizës së tij. Kjo që po ndodh me Gjykatën Speciale është heqje dorë nga shtetësia dhe dorëzim i sovranitetit. Ajo po funksion pavarësisht skadimit të mandatit kushtetues. Madje duke ia interpretuar mandatin vetes, po i jep vetes atribut legjislativ. Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës rrin dhe e shikon qiellin.