Nga përkufizimet më të mira për dashurinë është ai mbi përkushtimin ndaj tjetrit, përkushtim që nuk synon heqjen e dallimeve, por një perspektivë jete nëpërmes tyre, nga pikëpamja e dyshit.
12 tetori është dita e komunitet LGBTQI. PSD i përgjigjet thirrjes për solidaritet dhe bëhet pjesë e saj. Ky komunitet bën jetë të vështirë, pothuajse ilegale sepse ka qëlluar të jenë ndryshe nga norma-ligji shoqëror. Një shoqëri e përparuar nuk matet me standardizimin e uniformitetin që ta jep norma, por me përfshirje e bashkëjetesë ku njerëzit janë indiferent karshi dallimeve, sepse dallimet janë normalizuar.
Një përpjekje emancipuese sot nuk mund të quhet e tillë pa përfshirjen e çështjes së të drejtave për personat LGBTQI. Përpjekjet e tilla s’duhet të jenë më përmes konceptimit të fazave që çojnë pashmangshëm në prioritizime dhe hierarki të kauzave. Përkundër kësaj na duhen aleanca ku çështjet përfshihen, por secila kategori apo shtresë shoqërore del përtej kufijve të saj. Kjo është e mundur përmes praktikave demokratike e nën shënjuesin e barazisë.