free hit counter Përfshirja e PSD-së në dialog e bën Kosovën edhe me platformë shtetërore - PSD

Kuvendi i Republikës së Kosovës votoi sot me shumicë votash Platformën Shtetërore të Republikës së Kosovës për dialogun me Republikën e Serbisë.

Përpos Ligjit për Delegacionin Shtetëror, që e kthen Kuvendin e Republikës si përgjegjës për procesin e dialogut dhe e sanksionon ligjërisht mandatin e Delegacionit Shtetëror, përfshirja e Partisë Socialdemokrate në procesin e dialogut me Serbinë, ka ndikuar që Republika e Kosovës të ketë tashmë edhe Platformë Shtetërore për dialogun me Serbinë.

Kjo Platformë përfshin njohjen dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës, pacenueshmërinë dhe pandashmërinë e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, refuzimin e çfarëdo nivelit tjetër të qeverisjes përveç atij lokal dhe qendror, pronësinë e Republikës së Kosovës mbi asetet dhe burimet natyrore, reciprocitetin e plotë të serbëve të Kosovës me shqiptarët në Serbi, përgjegjësinë penale për krimet e luftës, zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, drejtësi për viktimat e dhunës seksuale, çështjen e dëmshpërblimeve të luftës, suksesionin në traktatet ndërkombëtare, zbatimin me SHBA dhe BE si garantuese, kushtëzimin e anëtarësimit të Serbisë në BE me zbatimin e marrëveshjes etj. 🌷