Pllugu i papërdorur është rezultati i krizës nëpër të cilën po kalon bujku i Kosovës. Rritja e çmimit të produkteve ka prodhuar kriza socio-ekonomike. Për bujkun e Kosovës, teksa jetesa është vështirësuar nga rritja e çmimit të produkteve, mbjellja e tokës po bëhet e paleverdishme.
Vetëm për një vit kostoja për mbjelljen e grurit është rritur për 98%. Çmimi i plehut artificial për punët e vjeshtës është rritur nga 112€ në 288€ për hektar, për fazën e parë të pranverës nga 72€ në 192€ për hektar kurse për fazën e dytë nga 56€ në 144€ për hektar; çmimi i naftës është rritur nga 60€ në 75€ për hektar dhe i farave për mbjellje nga 132€ në 156€ për hektar. Pra kostoja e mbjelljes së një hektari me grurë është dyfishuar.
Në kohë krizash të rënda si kjo, Qeveria duhet të jetë dora ndihmëse për prodhuesin vendor; së pari ta sigurojë që prodhimtaria të vazhdojë në mënyrë që të evitohet kriza potenciale e çmimit të grurit dhe së dyti duke e siguruar që kostoja për rritjen e çmimit të produkteve të shpërndahet progresivisht; kush ka më shumë paguan më shumë, e kush ka më pak paguan më pak.
Kosova me prodhimin e grurit plotëson vetëm 55% deri në 60% të nevojës së saj. Rritja e çmimit të mbjelljes së grurit nënkupton zvogëlimin e prodhimit vendor të grurit e që do të na detyroj të blejmë grurin nga jashtë; me luftën që tashmë po zhvillohet në Ukrainë çmimi i grurit në tregun ndërkombëtar pritet që të vazhdoj rritjen.
Prandaj kërkesat tona e menjëhershme për të evituar një krizë shumë më të madhe në mungesë të grurit janë këto:
1. Heqje e akcizës në naftë për bujqësi
2. Subvencionimi i së paku 25% i çmimit të plehut artificial, i cili gati është trefishuar në çmim gjatë muajve të fundit.
3. Rritjen e subvencioneve për bujqësi për 25%.