Përmes këtij aksioni simbolik po e fusim qeverinë në karantinë. Kjo karantinë i ka shkaktuar dëme vendit, andaj janë udhëheqësit e saj që duhet karantinuar.
Karantina ka shërbyer si mjet kërcënime e përndjekjeje. Përmes saj janë kërcënuar deputetë dhe është tentuar të pengohet puna e Kuvendit.
Karantina është raportuar nga mediet si mjet favorizimi e diskriminimi. Kriteret e saj nuk kanë qenë të njejta për të gjithë.
Jemi këtu për të kërkuar përgjegjësi politike dhe hetim të besueshëm për publikun. Askush nuk duhet të prejudikojë rezultatet e hetimit, por për një hetim kredibil, ministri Sveçla dhe ministri Vitia nuk duhet të jenë në detyrë. Kjo sepse përmes veprimeve të tyre, ata kanë dëshmuar se midis ligjit dhe shefit, këta e zgjedhin shefin.
Ministri Vitia e ka shkelur Kushtetutën me paramendim kur ndërmorri masat e njëjta pas shkeljes së parë kushtetuese. Ministri Sveçla ka tejkaluar përgjegjësitë kur ka kërcënuar deputetë, dhe kur ka ndërmarrë veprimeve përkundër raporteve të policisë.
Këtë qeveri po e përcjell logjika e njëjtë e mungesës së llogaridhënies. Kur bëhet fjalë për merita, të gjitha shkojnë në adresën e ministrit Vitia, kurse përgjegjësia eventuale mbetet në nivelet e poshtme të menaxhimit. Përgjegjësia e ministrit është politike në secilin rast. Njëjtë, edhe kur puna e institucionit është e mirë, edhe kur dështon.