Kjo pandemi, në mënyrën më vulgare, nxorri në pah dhe e thelloi pabarazinë ekonomike e sociale në mes të njerëzve. Të gjithë po diskutojnë mbi pasojat e përgjithshme të pandemisë ndaj ekonomisë e shoqërisë, por pak kush po flet se si janë të shpërndara këto pasoja në mes të shtresave dhe grupeve të ndryshme shoqërore. Pak kush po flet se si ata që kanë më shumë, veç u pasuruan nga pandemia. Pak kush flet se si ata që u dëmtuan më së shumti janë pikërisht punëtorët privatë edhe ashtu të papaguar mirë. Janë gratë, mbi të cilat rënduan për muaj të tërë mbyllja dhe kufizimet e lëvizjes.
Në të njëjtën logjikë u shpërnda edhe zbatimi i ligjit në Kosovë. Ligji rëndoi mbi të dobëtit, kurse u bë llastik për të fortët. Qytetarët u dënuan në mënyrë masive për mosvendosje të maskave, apo mosrespektim të orarit të lëvizjes, kurse partitë u toleruan në mënyrë abuzive përkundër shkeljeve flagrante të ligjit për pandeminë.
Kjo pabarazi u bë edhe më e padurueshme kur vetë kryeministri dhe ministri i shëndetësisë organizuan dhe morën pjesë në aktivitete të jashtëligjshme ku nuk kishte respektim të asnjë mase për parandalimin e shpërndarjes së COVID-19. Prandaj sot në mënyrë simbolike vendosëm që të rishpërndajmë pasojat e kësaj pandemie. Dënimin 3 milionë euro që shteti ua dha qytetarëve, vendosëm t’ia japim ministrit Armend Zemaj, për zbatimin selektiv që i bëri ligjit mbi pandeminë duke rënduar edhe më shumë jetën e qytetarëve.
Ne kërkojmë që të gjithë qytetarët e dënuar gjatë pandemisë të amnistohen urgjentisht nga dënimet e tyre. Kjo masë do të ishte vetëm një veprim i vogël për të lehtësuar sadopak barrën e pandemisë që po e vuajnë më së shumti ata që kanë më së paku.