Karikatura është ilustrimi pasqyrues i procesit negociator Kosovë-Serbi. Për gjatë gjithë kësaj kohe është prodhuar tension për të kamufluar koncesionin e madh që po del të jetë Asociacioni. Nga marrëveshje me njohjen në qendër tek Asociacioni në qendër të marrëveshjes. Ky është dëmi i madh, koncesioni i madh, të cilin Kurti e ka bërë në kurriz të Republikës së Kosovës.
Kjo marrëveshje, me Planin e Zbatimit tek i cili parashihen afatet kohore implementuese, jetëson Asociacionin si entitet të ri juridik, politik e të sigurisë. Entitet paralel karshi nivelit qendror të pushtetit. Asociacioni është garancë e ndarjes etnike dhe i prishjes së karakterit unitar të shtetit të Kosovës. Mbi të gjitha, Asociacioni po vjen përbrenda një marrëveshjeje tek e cila nuk parashihet njohja reciproke e cila do të garantonte, njëherë e përgjithmonë, paqe në mes të dy vendeve.
Kurti nuk e ka legjitimitetin që të nënshkruajë marrëveshje që garanton themelimin e Asociacionit. Ky kryeministër duhet të jep dorëheqje qysh sot. Kosovës i nevojitet legjitimim i ri politik, si mundësi për shtetin e shoqërinë, si horizont për një marrëdhënie të re në mes të Kosovës dhe Serbisë që garanton paqen e sjell njohjen reciproke.
Rruga në të cilën është futur Kurti është edhe e rrezikshme edhe e dëmshme. Nga sot fillon aktiviteti ynë në kundërshtimin e fuqishëm të kësaj rruge.