free hit counter Uashingtoni: një dështim që s'duhet t'i gëzohemi - PSD
Bisedimet e zhvilluara në Uashington gjatë 3 dhe 4 shtatorit vërtetuan indikacionet për të cilat kishim reaguar: jemi larg shkëputjes nga Serbia. Çfarëdo marrëveshje e arritur, për t’i kontribuar paqes në rajon e bashkëpunimit midis popujve duhet ta ketë si premisë shkëputjen nga e kaluara e dhunës dhe dominimit.
 
Pa shkëputje përfundimtare, s’ka fillim marrëdhëniesh të shëndosha të bashkëpunimit. Më keq se kaq, çfarë u nënshkrua në Uashington nuk e ka as statusin e marrëveshjes. Ato në fakt janë dokumente të njëanshme zotimi.
 
Gjithsesi, kjo ngjarje shënon përmbylljen e një rast të shpërdoruar nga papërgjegjësia e klasës politike. Ka 3 vite që kur dialogu me Serbinë është luftë e brendshme politike, thua se çfarë më së shumti i duhet Kosovës është vazhdimi i status-quos. Së këndejmi, Kurti e Haradinaj prijnë në minimin e procesit.
 
Konsekuenca direkte e saj do të jetë vazhdimi i procesit në Bruksel bashkë me ‘Asociacionin’ si perspektivë e si opcion. Kornizat e procesit të Brukselit nuk flasin për njohje reciproke, për më tepër cilido nivel marrëdhëniesh që do të vendoset, ato marrëdhënie do të jenë të lidhura dhe të penguara nga ‘Asociacioni’. Kjo nuk është shkëputje përfundimtare, prandaj pengon bashkëpunimin për të ardhmen.
 
Delegacioni dhe partitë e koalicionit paska shkuar në Uashington për ta demantuar konspiracionin e Kurtit. Ky është gabim fatal sepse kështu je brenda të njëjtit horizont; sepse duke bërë kështu, pavetëdijshëm ai bëhet morali të cilit duhet t’i përgjigjesh. Ata duhej të ishin atje për të bërë marrëveshje, dhe jo për t’ia dëshmuar dikujt të kundërtën e këtyre pretendimeve.
 
Përmbajtja e marrëveshjeve megjithatë tregon edhe diçka të re. Serbia nuk është më armikja as kundërshtarja e Shteteve të Bashkuara. Nëse për Kosovën kjo është diçka e natyrshme, pajtimi për ta diversifikuar shfrytëzimin e energjisë dhe për ta ndaluar rrjetin 5G përbënë ngjarje dhe zhvillim të ri në Serbi. Ky është një hap i konsiderueshëm më afër SHBA-së dhe largim i njëjtë me Kinën dhe Rusinë. Ky është ndryshim i Serbisë, siç është edhe ndryshim i SHBA-së. Asgjë nuk është më sikur në vitin 99’. As SHBA, as BE, as Rusia as Kina. Vetëm ne e presim përsëritjen e këtij viti.
 
Në fund, kur flasim për dëmet dhe rreziqet potenciale, përtej dramës së thikave e shampanjës, duhet shtruar edhe një pyetje. Cili është rreziku i status-quos? A i leverdisë Kosovës ajo? Po rajonit?
 
Ballkani pa një bashkëpunim rajonal nuk do të zhvillohet. Ky bashkëpunim, për të mos e përsëritur Jugosllavinë duhet të jetë mbi baza barazie. Ndryshe, do të vazhdojmë të bëhemi vegla të gjeopolitikës. Kështu, plasaritjet ekzistuese bëhen konflikte. Prandaj, Kosovës dhe Serbisë i duhet marrëveshja, më parë sesa secilës superfuqi. Prandaj na duhet shkëputja, dhe jo procese që nuk kryhen.