free hit counter Vonesa në dorëzimin e dokumentacionit, po e pengon punën e Komisionit Hetimor - PSD

Janë bërë një javë (nga 28 marsi) që kur Visar Ymeri, Kryesues i Komisionit Hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala, i ka kërkuar menaxhmentit dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm për këtë hetim. Dhe ende nuk kanë marrë asgjë nga menaxhmenti.

Në përgjigjen e kthyer të nesërmen Bedri Istrefi, Kryeshef Ekzekutiv i Telekomit ka kërkuar afat shtesë (përtej datës 3 prill të caktuar nga z. Ymeri) për kompletimin e dokumentacionit. Kësaj kërkese i ishte përgjigjur menjëherë z. Ymeri duke kërkuar dorëzimin e dokumentacionit të gatshëm dhe propozimin e një afati kur menaxhmenti mund ta dorëzojë pjesën tjetër të dokumentacionit. Edhe pse kjo letër e dytë i është dorëzuar menaxhmentit të hënën, Komisioni ende nuk ka marrë përgjigje në këtë çështje, e asnjë prej dokumenteve të kërkuara.

Kjo vonesë e menaxhmentit të Telekomit bie ndesh me Ligjin për Hetimin Parlamentar i cili ia siguron Komisionit hetimor qasjen e pakufizuar në dokumentacion e prova (Neni Neni 13 pika 1.4.), si dhe obligon të gjitha institucionet, personat fizik a juridik, t’i dorëzojnë komisionit të gjitha dokumentet e provat e kërkuara (Neni 18, pika 4).

” Këtë vonesë në dorëzimin e dokumentacioni nuk mund ta kuptojmë ndryshe përveç se si pengesë në punën hetimore të Komisionit.” – deklaroi kryesuesi i Komisionit z. Ymeri, në një konferencë shtypi të mbajtuar sot, duke vazhduar se vonesat e tilla ngrenë dyshimin për sa i përket punës se Menaxhmentit dhe Bordit të Telekomit.

“Ose nuk po duan t’i dorëzojnë e kështu po veprojnë kundërligjshëm; ose nuk i dijnë se ku dhe si ti gjejnë e që flet për një inkompetencë të tmerrshme profesionale.” – vazhdoi tutje Ymeri.

Ymeri tutje vuri në pah 4 shkaktarë potencial të cilët dyshohen ta kenë sjellë Telekomin në këtë gjendje. Sipas tij, degradimi në këtë masë të Telekomit të Kosovës është shkaktuar nga këto veprime:

 

·  Kontratat e nënshkruara me palët e treta;

·  Punësimi – veçanërisht mbipunësimi që është bërë pa kurrfarë kriteri a nevoje, kryesisht i motivuar partiakisht e nepotist;

·  Ndërhyrjet qeveritare – ndalja e proceseve e projekteve zhvillimore të bëra nga qeveria më 2009 dhe 2010 për qëllime të privatizimit të Telekomit, si dhe marrja e dividendës pa kurrfarë kriteri e plani që ia ka cenuar rëndë kapacitetin financiar e investues Telekomit, duke i krijuar kështu hapësirë të padrejtë operatorëve tjerë (IPKO me vonë Z Mobile);

·  Shpenzimet e pakontrolluara të menaxhmenteve e bordeve të një pas njëshme për qëllime luksi.