free hit counter Shëndetësi publike - PSD

Shëndeti i qytetarit nuk ka qenë asnjëherë prioritet i qeverisjes. Shëndetësia publike përveç që gërryhet nga brenda prej formave privatizuese, ajo e ka mbi kokë edhe presionin e emigrimit.

Shërbimet janë komercializuar përmes mënyrave formale e joformale. Marrëdhënia korruptive midis sektorit publik dhe atij privat e ka si vaj lëvizës profitin drejt spitaleve private. Xhepat e zbrazur të qytetarëve janë pasojë direkte e kësaj marrëdhënie, kurse shëndetësia publike e shtrirë përtokë është mbetja kolaterale e krejt këtij procesi.

Mjekët tanë përfundojnë shkollimin nga shpenzimet e buxhetit publik të vendit, për t’i punësuar Gjermania me zero kosto. Në vitet e fundit nga Kosova janë larguar 11% e specialistëve mjekësor. Kosova e varfër është praktikisht sponsore e shëndetësisë gjermane.

Modeli i sigurimeve shëndetësore nuk i përshtatet kushteve të Kosovës. Ky model mbulon vetëm ata që kanë kontrata pune. Shumë të papunë dhe punëtorë pa kontratë mbeten pa u mbuluar.

Ndërhyrja

• Shëndetësia, sa më private, aq më e kushtueshme, prandaj duhet një sistem shëndetësor publik për të gjithë. Komercializimi e dehumanizon shëndetësinë. Shëndetësia në Kosovë do të jetë e organizuar në atë mënyrë që financimi të bëhet nga taksat, infrastruktura publike, kurse qasja të garantohet për të gjithë sepse buron nga nënshtetësia.

• 300 milionë euro financim në ndërtim dhe përmirësim të infrastrukturës, rritje të personelit dhe nivelit të pagave në sistemin shëndetësor. Paga e mjekut dhe infermierit duhet të rriten ndjeshëm.

• Shpenzimet për barëra, të cilat kalojnë shumën prej 300 euro brenda vitit, do të mbulohen nga shteti. Nga kjo përfitojnë në veçanti personat që trajtohen me sëmundje më të rënda që kanë shpenzime më të mëdha të terapisë.

• Pas rritjes së ndjeshme të financimit dhe ndërhyrjeve transformuese, kapacitetet do të rriten e infrastruktura do të zgjerohet. Kështu, për 3 vjet shëndetësia publike do të arrijë nivele tjera. Pas 3 vitesh fazë kaluese, shërbimet që i ofron sektori publik nuk do të mund t’i japë sektori privat.

• Shërbime private do të ketë vetëm në fushën estetike.