free hit counter Berisha, Kurti – një kthim, një histori - PSD

Kthimi është nga konceptet bazë që e vendos në një lloj marrëdhënie politikën ditore me thirrjen universaliste. Pak a shumë i njëjti proces vjen edhe në religjion, megjithëse ndryshe i mbështjellur. Fryma e shenjtë bëhet komuniteti që e pranon thirrjen. I vdekuri (jo domosdo fizikisht) kthehet, ringjallet, në fakt zbret nga qielli.

Krishti ishte kthyer. Edhe Skenderbeu. Edhe Mao ishte kthyer. Edhe Kurti është kthyer. Edhe Berisha po kthehet. Cilat janë ato instrumente teorike që na e mundësojnë një lloj vlerësimi për të parë e lokalizuar kthimin sot dhe kthimet në histori. Që na japin optikë për të parë nëse kemi diçka prej virtyti, apo vesi; nese po flasim për tragjedi, për farsë, apo për komedi; apo ndoshta kjo ngjarje është veç simptoma e një ngjarjeje të munguar. Cilët janë pra gurët e provës?

Ngjarja nuk themelohet si projektim mohues i rrezikut që kërkon shkatërrim, por si afirmim vetëreferencial për t’u ndërtuar; mund të ndodhë të kryhet me triumf, por kriteri i saj nuk është suksesi as efektiviteti; ngjarja matet me mundësinë dhe horizontet e reja që ka krijuar, bashkë teorike dhe praktike: fjalë të reja, forma të reja bashkimi shoqëror, shthurje titujsh e lëvizje vendesh; ajo i përket regjistrit të mrekullisë, dhe s’ka asgjë prej profecisë – sepse ajo nuk mund të parashikohet përmes analizës empirike anglo-saksone, ose determinizmit ekonomik; është një kontingjencë e pastër. Mbartësi i Ngjarjes është figurë e Birit, dhe jo e Atit. Ati është zotërues dhe mësues që ruan vazhdimësinë. Biri është figura e çarjes, luftëtar pa gradë, student me etje dhe dëshirë, pa hijen e rëndë të dijes si kapital simbolik.

Sali Berisha po kthehet sërish. Demokratët po e presin krahëhapur. Por, a është ai sot pëllumbi i shkruar? A do ta shpëtojë ndokënd tjetër veç vetes?! Ndërhyrja amerikane sigurisht se nuk ishte as me radhë e as legjitime. Por, vetë Sali Berisha kishte mbështetur pa mëdyshje gringo-fermanët e tjerë kur përjashtonin apo ekskomunikonin figura majtas. Berisha edhe u përjashtua arbitrarisht. Por, kush mban mend histori, askush si Berisha nuk ka përjashtuar. Një kohë i vetëm, së fundi bashkë me Bashën. Deri para 9 shtatorit kështu ishte. Tani qenka shkelur Kushtetuta e partisë.

Kthimi i Berishës, shikuar nga diskursi, struktura e akuzës dhe metoda organizative, është aq e njëjtë me mënyrën si ishte kthyer Kurti në krye të partisë. Një herë tjetër mund të jetë interesant të flasim për transversalen si fenomen, nga levizjet ‘68 në Çekosllovakinë sovjetike deri në Parisin perendimor. Kësaj here do t’i nxjerrim pikat e transversales shqiptare, asaj Kurti-Berisha.

Lideri Suprem nxjerr një nga një prej xhepit viktimat e tij. Imami kthehet kokulur. Jozefina del e thotë se Berisha s’paska ditur gjë për përjashtimin e saj. Kështu paten thënë Sveçla e Zyba të degraduar nga vetë Kurti dikur. Edhe soji tjetër i njerëzve afrohet. Atje Evi Kokalari, këtu turma hakiabaze.

Kryetari formal bashkë me udhëheqjen e partisë dhe këdo tjetër që nuk bindet menjëherë linçohen duke u shpallur bashkëpunëtorë të armikut. Të gjithë ishin të shitur a të blerë. Tek ne në Prishtinë, ka ngjarë që kur ndërrohej krahu, brenda ditës akuza tradhëtare bëhej lavd historik.

E përbashkëta tjetër shumë domethënëse është kthimi tek rrënjët. Kongresin e shpallën më 11 dhjetor. Cila është porosia këtu? Që gjendja e sotme është sikur ajo e dhjetorit të vitit 1990?! Jo për ta mbrojtur qeverisjen aktuale, por një pohim i tillë është fyerje për viktimat e stalinizmit shqiptar. Demokracia sot nuk mungon si liri e fjalës as e besimit, mungon sidomos brenda partive. Në vitin 1990 Shqipëria vuante nga mbyllja, uniformiteti e varfëria. Ajo sot vuan nga hapja që na ka bërë popull emigrantësh. Parulla historike e dhjetorit ’90 “e duam Shqipërinë si gjithë Europa” nuk mund të aktualizohet sot. Ajo po del të jetë pamundësi strukturore e dyfishtë: i dështimit shqiptar për një shoqëri të drejtë, por edhe i një kufiri përjashtues evropian që na ka lënë në periferi. Përfundimisht, kthimi tek rrënjët i Berishës nën një shënjues absolut negativ, është tamam mungesa e diçkaje të re dhe afirmative.

Pengesat për Liderin Suprem janë gjithnjë rezultat i pozicioneve të tij parimore. Kurti vazhdimisht thoshte se ai do të luftohet nga çdo mision diplomatik këtu sepse të huajt ia kanë nuhatur mprehtësinë parimore. Vetëm për t’iu përveshur kompromiseve ende pa u ulur në karrigen e kryeministrit. Shihni tash, Berishën po e sulmojnë sepse mbrojti Kosovën nga ndarja. Ndërkohë, në ndihmë i del Richard Grenell që supozohej të ishte disenjuesi e arkitekti i ndarjes, kurse non grata i vjen nga administrata Biden që nuk duket se e preferon këtë opcion. Këto kontradikta Berisha i zgjidh lehtë. Është Sorosi aty në një dhomë të errët mbrapa perdes që po i tërheqë penjtë. Ai paska udhëhequr në secilën administratë. Në fakt, ai është shënjuesi që i jep koherencë një fjalori arrakat. Këtu, megjithatë vërehet një dallim midis Kurtit dhe Berishës. Në vend të kritikës strukturore mbi kapitalin dhe pabarazinë, Kurti përdorte lidhjet e shkurta për të denoncuar oligarkët (tipike për popullizmin e majtë), ndaj të cilëve kur vjen në pushtet as barrën tatimore nuk e rritë. Berisha ndërkaq ka shkuar një hap më larg. Diskursi i tij toksik mbi Sorosin është një ligjërim para fashist. Në ambientin politik shqiptar nuk ka dalë kurrë aq shumë në sipërfaqe një ligjërim i tillë. Ky është kontribut që duhet t’ia njohim Berishës.

Por, cili është origjinali i kësaj transversaleje? Ku mund ta lokalizojmë në histori? Sigurisht se paralele gjejmë sa të duam në katër anët e rruzullit. Regjimet shtypëse bashkë me liderët kanë gjithnjë gjëra të përbashkëta. Fenomeni shqiptar i kthimit, bashkë me gjithçka që e ka shoqëruar, nuk përthekohet me epitete si autokracia, apo bolshevizmi në përgjithësi. Në formë ai më së shumti i ngjan Maos në momentet e Revolucionit Kulturor. Le t’i kthehemi për një moment viteve të kuqe.

Tërheqja e Maos sigurisht se nuk kishte të bënte me zgjedhjet. Reputacioni i tij brenda partisë kishte rënë kryesisht për shkak të pasojave katastrofale të reformës “Hapi i madh përpara”. Një përpjekje për industrializim të shpejtë kishte përfunduar në një krizë të paparë urie. Varësisht prej referencave të burimeve historike, midis 25-30 milionë kinezë kishin vdekur nga varfëria përgjatë periudhës kohore 1958-1962. I ndodhur në këtë situatë, Mao kishte humbur autoritetin dhe ndikimin brenda udhëheqjes. Për një kohë ai u tërhoq nga udhëheqja rutinore me punët e shtetit. Në anën tjetër, ai ishte figura kyqe e mishërimi i revolucionit. Mbështetja e popullariteti i tij në masat popullore ishte e padiskutueshme. Mao, sikur të gjithë udhëheqësit e sojit të tij, rikthimin e vetes nuk e kupton as nuk e shpjegon me gjuhën e rëndomtë të vazhdimësisë dhe përmirësimit. Edhe më pak kuptohet kjo përmes një lloj gjykimi të përciptë mbi ambicien egoiste për pushtet e privilegje, megjithëse ato nënkuptohen. Struktura ideologjike e kërkon një thirrje dhe mision historik. Pararoja ndriçon sepse autoriteti i saj politik buron nga dija shkencore e kontradiktave ekonomike për ta njohur e përvijuar ligjësinë historike. Kështu, ajo është kusht i një domosdoshmërie historike. Prandaj nuk është kurrë e qartë vija demarkuese midis thirrjes diskursive për përmbysje, dhe motivit partikular. Të tillëve “iu vjen mbrapa historia”. Alain Badiou shkruan se deri në momentin e revolucionit kulturor, ishin dy mënyrat se si partia-shtet merrej me kuadrot: ajo e formalizmit burokratik, dhe terrori stalinist nga lart. Rikthimi i Mao-s ishte pikërisht ky: as formalizmi burokratik, as terrori nga lart, por një ndërhyrje nga baza për të tejkaluar vetë limitet e partisë-shtet. Kështu fillon sulmi ndaj kuadrove të partisë. Kushtrimi u dha, partia mund të kritikohet. Rojet e kuqe nga shkolla e universitete, nën udhëzimet e Maos, vërsulen kundër udhëheqjes së partisë në të gjitha nivelet. Fjala doli se borgjezia në vendet socialiste strehohet brenda partisë. Kjo nuk ishte thjesht një lojë pushteti, gjërat shkuan aq larg, në zaptime komunash, vrasje e internime. Zhou Enlai ishte aty si minimumi formal i emrit të partisë, por ajo praktikisht ishte pezulluar. Ushtria dhe rojet e kuqe dominonin vendimet. Derisa gjithçka ndalohet nga vetë Mao. Atëherë, gjërat i kthehen normalitetit, Mao i kthehet funksionit shtetëror, kurse partia mbetet ajo që ishte. Cila është pra arritja e kësaj ndërmarrje të madhe? Me 1972, Mao pret Niksonin, e ca më vonë kthesa e Deng Xiaoping. Kjo ndërhyrje, atëherë dhe sot, del të jetë veç simptomë bllokimi. Problemi kryesor i tij ishte obsesioni me negativitetin shkatërrues. Asgjë afirmative, vetëm armiq. Për shumë të majtë, fundi i potencialit të partisë-shtet ishte viti 1968. Mao mbetet në fund njeri i partisë. Këto kritika nuk janë nga ndonjë liberal, por nga vetë Alain Badiou.

Cilat janë nyjet e bllokimit tonë sot? Kosova, Shqipëria, por edhe i gjithë Ballkani gjendet në një bllokadë të dyfishtë. Ekonomikisht gjithë rajoni është periferia e Bashkimit Evropian. Për të, ne jemi të pranueshëm si fuqi punëtore dhe si konsumatorë, por si vende dhe qytetarë me të drejta jemi të përjashtuar. Nëse duam të flasim për strukturat makro që përcaktojnë mundësitë e zhvillimit, marrëdhënia tregtare e financiare me Bashkimin Evropian është kryesorja. “Ikja e trurit” është emri i marrëdhënies së re qendër-periferi. Kjo është e përbashkëta e vendeve të rajonit. Por, rajoni ndërkohë ka probleme nacionale të pazgjidhura që mbajnë vazhdimisht tensionet aktive, e fantazma e luftës rikthehet sakaq. Ky fakt i bën Shtetet e Bashkuara protektorin garantues të stabilitetit, për ta thelluar ende ngulitjen në një qerthull që nuk është vicioz, por shtyen teposhtë. Nuk mund të integrohemi në BE sepse nuk na duan, nuk i zgjedhim problemet ndërmjet vete sepse nuk duam, dhe vazhdojmë flasim për Sorosin dhe oligarkinë. Popullizmi i majtë sovranitetin e ka popullor dhe kombëtar, kurse ai i djathtë kombëtar dhe racor. Asnjëri prej tyre nuk sheh struktura. Sovraniteti në krejt këtë marifet është streha më e sigurtë e maskarenjve. Por, duhet thënë, streha tjetër është peqe-lepe, ajo që i pret fermanët për t’i lexuar. Sovraniteti, shteti, janë nocione të pamjaftueshme dhe të tepërta njëkohësisht. Dy nocione të reja mund të ishin operues politik për ta shprishur nyjen bllokuese. Në vend të antiimperializmit sovranist, barazi midis popujve që prodhon një formë bashkëpunimi internacionalist; në vend të shtetit me institucione të centralizuara, demokraci shoqërore dhe politika decentralizuese.