Sot, Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi mbi riorganizimin e shkollave me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Hykmete Bajrami.
Ministria e ka kuptuar që fenomeni i migrimit ka ndryshuar përbërjen e popullsisë, duke afektuar kështu shkollat dhe mësimnxënien. Kjo dukuri është e përhapur gjithandej Kosovës, por interesat afatshkurtëra të pushtetit e kanë mbajtur nën rrogoz. Kështu, ulja e ndjeshme e numrit të nxënësve nuk është përcjellur me rekrutim të mësimdhënësve që i përgjigjet këtij numri.
Memorandumi e pranon logjikën e reformës, por bashkon forcat rreth formave të implementimit dhe zgjeron fushën e studimit për të cilat Qëndron Kastrati gjithnjë ka qenë i hapur. Pasi ka siguruar transportin për nxënësit, pasi i ka garantuar mësimdhënësit përmes Kontratës Kolektive që askush prej tyre nuk mbetet në rrugë, sot po i bashkon forcat me Ministrinë që reforma të përcillet me përgatitje e investime shtesë.
Një falemnderim për këtë i takon sot Ministres Bajrami dhe stafit të saj. Nxënësit nuk mund të pësojnë nga dallimet politike as nga lufta për pushtet.