Në konferencën për media të mbajtur sot (02 gusht 2018), kryetari Shpend Ahmeti dhe nënkryetari Visar Ymeri, kanë bërë thirrje që Kuvendi të ndërpresë pushimin, për shkak të çështjes së dialogut me Serbinë. Në emër të Partisë Socialdemokrate, Ahmeti dhe Ymeri thanë se Kosova aktualisht ndodhet në një fazë shumë të rëndësishme, duke përmendur diskutimet rreth skenareve të rrezikshme me të cilat mund të përballet Republika e Kosovës gjatë këtij procesi.
Kryetari Ahmeti theksoi se përfundimi i sesionit pranveror ka pamundësuar votimin e rezolutës së propozuar nga PSD për dialogun, për të cilën tha se është zgjidhja e vetme për kompromis mes subjekteve politike për një platformë të përbashkët. E, në këtë platformë, ai tha se do të duhej të përfshiheshin strategjia dhe qëllimet që duhet t’i ketë Republika e Kosovës në lidhje me këtë dialog. Gjithashtu Ahmeti përsëriti se Kuvendi duhet të jetë në krye të këtij procesi negociator.
“Duam t’i kujtojmë publikut se Republika e Kosovës është Republikë parlamentare, prandaj nuk qëndrojnë argumentet se në njërën anë është Vuçiqi dhe në anën tjëter Thaçi, sepse ne edhe për nga organizmi politik ndryshojmë nga Republika e Serbisë”, u shpreh Ahmeti.
Kurse, nënkryetari Ymeri tha se Kosova aktualisht nuk ka përfaqësues në procesin e dialogut. Lidhur me këtë, tha se ato që janë folur në takime formale e jo formale, të fshehta, nga Presidenti Thaçi, nuk vlejnë dhe as nuk janë obligime të Republikës së Kosovës. Kjo pasi që këto janë zotime nga një person i cili nuk ka mandate e as autorizim për ta bërë një gjë të tillë.
“Çështja e parë që Rezoluta e PSD-së mundohet ta bëjë është që procesit t’i japë legjitimitet; çështja e dytë është që këtij procesi t’i vendosen disa korniza përbrenda një strategjie dhe platforme të qartë, në të cilën Kuvendi Republikës së Kosovës vendos edhe agjendën edhe kohënisjen e negociatave me Serbinë si dhe për kushtet e kërkesat që duhet të shtrohen para fillimit të këtij dialogu”, u shpreh Ymeri në lidhje me rezolutën e propozuar nga PSD.
Në fund u tha se legjitimiteti, platforma dhe përfaqësimi duhet të vendosen në Kuvend me votë të kualifikuar, pra me votën e 2/3 të deputetëve.