Një vend me mirëqenie është i mundur kur ka solidaritet e bashkëpunim midis njerëzve dhe grupeve të ndryshme shoqërore. Një vend ku ka barazi, aty ka jetë të mirë – në një vend të tillë çmohet puna e respektohen punëtorët.
KEK-u si ndërmarrje publike ka rëndësi të veçantë për vendin. Sektori i energjisë në Kosovë po shkatërrohet pakthyeshëm pikërisht sepse ai është kushti për një plan zhvillimor në të ardhmen. Një plan ku ka prodhim e punësim, ku zhvillimi e solidariteti shkojnë bashkë.
Partia Socialdemokrate mbështet protestën e Sindikatës së Re të Korportatës Energjetike të Kosovës dhe kërkesat e parashtruara aty: marrëveshje kolektive në nivel të KEK-ut; dhënie të pagës jubilare në vazhdimësi; rivitalizim të Termocentralit Kosova A; rritje të shujtës së ushqimit; dhe rishikim të Ligjit për Paga.
Jemi sidomos mbështetës të kërkesës së tyre për rishikim të Ligjit për Pagat, gjegjësisht caktimit të koeficientit si tavan për punëtorët e Ndërmarrjeve Publike. Duam ta bëjmë të ditur se deputetët tanë kanë votuar kundër këtij amandamenti. Deputetët tanë, Shqipe Pantina në Komisionin përkatës, dhe Dardan Sejdiu në seancë plenare e kanë kundërshtuar aktivisht këtë amandament.