Partia Socialdemokrate ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë. Temat e trajtuara në rendin e ditës përfshijnë gjendjen shëndetësore dhe socio-ekonomike të shkaktuar nga pandemia, zhvillimet e fundit karshi dialogut Kosovë-Serbi, dhe aktivitetet e organizimi i PSD-së.
Pandemia, sikur edhe rreziqet e natyrave tjera nuk i dëmtojnë të gjithë njerëzit njëjtë. Më të ekspozuarit ndaj rreziqeve janë punëtorët dhe shtresat e margjinalizuara. Qeveria që iku është treguar e papërgjegjshme në ndërhyrjen ekonomike që stimulon kërkesën agregate. Qeveria aktuale, po ashtu nuk po ndërmerr masa që do ta mbushnin boshllëkun e krijuar. Jemi pajtuar se në momentin aktual, më shumë sesa disiplina makroekonomike është i rëndësishëm gjallërimi i ekonomisë.
Dialogu Kosovë-Serbi siç duket do të jetë tema kryesore politike e këtij viti. Duhet thënë se dy qeveritë e shkuara, më shumë brengoseshin për opinionin publik dhe kapitalizimin elektoral të çështjes se sa punë, angazhim e projekt për një dialog që mbron interesat e vendit. Sipas nesh, Kosova duhet të hyjë në një proces dialogu vetëm nëse ky proces synon mbylljen përfundimtare të konfliktit përmes njohjes reciproke. Përfaqësimi duhet të jetë i bazuar në kompetencat kushtetuese, kurse procesi duhet të jetë sa më transparent e llogaridhënës. Një proces i tillë i siguron kredibilitet procesit, por ndihmon edhe në përmbajtjen sa më të dobishme të marrëveshjes. Përveç rëndësisë së madhe që ka përmbajtja e marrëveshjes, nuk duhet të harrojmë se zhvillimet gjeopolitike të viteve të fundit nuk na japin rehati për ta lënë një konflikt të hapur. Përveç kësaj, zvarritja e gjatë e këtij procesi, e ka dëmtuar Kosovën edhe për së brendshmi. Projektimi i një rreziku të vazhdueshëm ka krijuar tensione politike, tensione këto që i janë mbivendosur zhvillimit, mirëqenies e demokracisë. Përfundimisht, pas një marrëveshjeje përfundimtare që mbyllet me njohje reciproke Kosova nuk do të ishte më çështje e sigurisë, as brenda as jashtë.