Me këto 1.4 euro në ditë, një familje të tillë i bie që të vendos: një muaj të ushqehen e ta lënë anash veshmbathjen. Muajin tjetër t’i paguajnë disa prej faturave, rrymë, ujë, etj, dhe ta lënë anash veshmbathjen e ta reduktojmë ushqimin. Një muaj tjetër pastaj të shpenzojmë në barna, dhe t’i lëmë anash të gjitha.
Një vështirësi e tillë ekzistenciale është përditshmëri për shumë familje me nga një të punësuar në Republikën e Kosovës. Këta, përveç se të varfër janë të harruar nga institucionet.
Kanë kaluar saktësisht 70 ditë, nga 4 shkurti i këtij viti, kur është dorëzuar kërkesa për interpelancë nga Partia Socialdemokrate për diskutimin e pagës minimale në Kosovë dhe në Kuvend kësaj çështje ende nuk i ka ardhur radha.
“Kanë kaluar saktësisht 9 vjet e 105 ditë prej kur institucionet e Kosovës janë marrë me çështjen e pagës minimale dhe kështu kanë harruar të kujdesen për vështirësitë ekzistenciale dhe përditshmërinë e punëtorëve në Kosovë”, tha Visar Ymeri, deputet dhe nënkryetar i PSD-së.
“Të jesh i rrezikuar nga varfëria do të thotë të mos kesh ushqim të mjaftueshëm; do të thotë të jesh i uritur ose të ushqehesh me ushqim që nuk mban kaloritë e nevojshme dhe nuk i shëndetshëm, të jesh i rrezikuar do të thotë të mos mbërrish fundin e muajit pa e hapur fletoren e huasë tek dyqani i lagjes”, shtoi më tutje z. Ymeri.
Ai poashtu prezantoi propozime konkrete sesi mund të përditësohet dhe funksionalizohet paga minimale, si në vijim:
· Duhet të ndërmirret masë urgjente që paga minimale të rritet në shumën prej 250 euro;
· Kjo rritje duhet të përfshijë të gjithë të punësuarit pa dallim moshe dhe gjinie;
“Ne duhet të kalojmë nga koncepti i pagës minimale tek ai i pagës për të jetuar. Pra nga paga për të mbetë gjallë, te paga për të jetuar më mirë”, shtoi për fund z. Ymeri.