Sapo u informuam se llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës janë bllokuar nga përmbaruesi. Kjo për shkak të borxhit që arbitrazhi i ka faturuar Telekomit ndaj operatorit Z Mobile.
Z-Mobile ishte kontraktuar për të shitur produktet e Vala-s, duke shfrytëzuar infrastrukturën e saj, ndërkohë që Vala kishte investuar dhe e kishte zhvilluar mjaft sektorin e shitjes. Jo vetëm kaq, çmimi i produkteve që shiste Z-Mobile ishte më i lirë në krahasim me shitjen që e bënte vetë Vala. Kjo quhet grabitje neoliberale.
Kosova nuk ka industri të zhvilluar për luftën klasike klasore, as sektorë të zhvilluar shërbimesh e qendra financiare. Akumulimi i kapitalit këtu vjen prej kontratave që merren nga buxheti shtetëror, buxhet ky i mbushur nga shumica e varfër e qytetarëve; prej zhvatjeve si kjo të kompanive publike, pronë e njerëzve të varfër; prej përvetësimit të tokave e lumenjve. Kjo është rishpërndarja drejt akumulimit. E pavërejtshme sepse e normalizuar duke qenë mekanizëm i rregullt. Merret nga shumica e varfër drejt pakicës që ka shumë.
Kontrata që po e rrezikon bankrotimin e Vala-s duhet të shpallet e paligjshme. Puna e Komisionit Hetimor Parlamentar për Telekomin, e nisur në legjislaturën e kaluar duhet të vazhdojë. Ne e dimë se ai Komision Hetimor mund të prodhojë material të vyer për Gjykatat. Vala është e qytetarëve të Kosovës!