free hit counter Seancë të jashtëzakonshme për skandalin në drejtësi - PSD

Partia Socialdemokrate mbajti konferencë për media në lidhje me skandalin e fundit në sistemin e drejtësisë, nga ku u kërkua seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës lidhur me këtë çështje, si dhe organizim i Vettingut për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës.

Deputeti Frashër Krasniqi dhe anëtarja e Kryesisë,Natyra Kuçi, theksuan se skandali i fundit konfirmon edhe një herë kapjen e sistemit të drejtësisë. Pas deklarimeve të prokurorit të dorëhequr Elez Blakaj që foli për akuza, shantazhe e kërcënime, deklarimet nga krerët institucionalë si kryeparlamentari Kadri Veseli e kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeprokurori Aleksandër Lumezi, përveç se shpërfillën këto deklarime, u përcollën me akuza e ofendime ndaj prokurorit në fjalë.

Me këtë rast u theksua lidhja e ngushtë e pushtetit me njerëzit kryesorë të drejtësisë që është penguesi kyç që pamundëson hetim të mirëfilltë të krimit të organizuar dhe skandaleve të shumta, siç është edhe rasti i listave të veteranëve, që është manifestim i qartë i klientelizmit dhe një fenomen tipik neoliberal.

Për këtë, u tha se kjo gjendje e rëndë në drejtësi që të ndryshohet e ka të domosdoshme procesin e Vettingut, që do të shqyrtonte dhe verifikonte kredibilitetin e secilit gjykatës e prokuror. Lidhur me këtë proces, PSD ofron alternativë konkrete, e cila fillon me ndryshimet Kushtetuese që duhen për të mundësuar këtë proces, e më pas edhe me krijimin e një Komisioni Paeelamentar për Reformë të Drejtësisë.

E gjithë kjo, pasi që PSD e sheh si të domosdoshme për Republikën e Kosovës që:

• çdo prokuror dhe gjyqtar të justifikojë pasurinë e deklaruar, në të kundërtën të nisin procedura të nevojshme ligjore; 
• çdo prokuror dhe gjyqtar t’i nënshtrohet procesit të Vettingut ku ata plotësojnë një deklaratë për kontrollin e figurës e cila ka si qëllim deklarimin nëse subjekti ka pasur kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar dhe
• çdo prokuror dhe gjyqtar duhet t’i nënshtrohet vetëvlerësimit profesional brenda një kohe të shkurtër nga data e hyrjes në fuqi të ligjit të Vettingut. 

Përveç kërkesës për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme ku do të diskutohej ky skandal, në këtë konferencë iu dha mbështetje edhe protestës së sotme nga shoqëria civile, e cila do të mbahet sot në ora 18:00. Si dhe, u dha zotimi që si PSD, përmes grupit parlamentar, këto nisma dhe kërkesa do t’i bartë edhe në Kuvendin e Kosovës.