Zyrat e Partisë Socialdemokrate sot janë hapur në qytetin e Pejës, duke vazhduar me zgjerimin dhe fuqizimin e mëtutjeshëm. Në mesin e mbështetësve, shtritjen e PSD-së në këtë komunë e përshendeten nënkryetari dhe deputeti i PSD-së, z. Visar Ymeri; deputeti dhe i besuari i partisë për degën e Pejës, z. Dukagjin Gorani; si dhe koordinatorja e degës znj. Afrora Bërdynaj-Mazreku. I pranishëm ishte edhe ish-deputeti z. Florin Krasniqi. Me këtë rast u prezantua edhe platforma socialdemokrate dhe u diskutua rreth angazhimit të PSD-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Peja ndër vite liston probleme të shumta, zgjidhjen e të cilave nuk e kanë pasur prioritet pushtetet e deritanishme. Në këtë qytet ku do të duhej të shfrytëzohej potenciali turistik, pejanët vazhdojnë ta kenë hall trajtimin jo të duhur të mbeturinave, prerjen e vazhdueshme të pyjeve, ndërtimet pa leje dhe eksploatimin ilegal të zhavorrit.
Pakënaqësia qytetare për problemet në rritje të tyre për shkak të qeverisjeve të papërgjegjshme, është thirrja urgjente për politika transformuese për këtë komunë. Alternativa ndaj kësaj gjendje kaotike është një mendësi e re qeverisëse e përgjegjshme, që instalon politika barazitare e të mirëqenies dhe vendos rregull në qeverisje. PSD është hapësira ku bëhen bashkë përgjegjësia e lartë, vullneti i fortë dhe plani konkret për ndryshime shoqërore në gjithë vendin. Angazhimi ynë i përbashkët është çelësi i shtegdaljes nga gjendja aktuale dhe rruga drejt ndryshimit që sjellë zhvillim e mirëqenie.