Në Kosovë janë vetëm 49 çerdhe publike. Shumica dërrmuese e çerdheve janë private. Vetëm 6.2% e fëmijëve të grupmoshës 0-5 vjeç shkojnë në çerdhe. Në Shqipëri kjo shifër është 80%. Në Evropë 94%. Ka tashmë pajtueshmëri mbi dobitë që përfiton shoqëria dhe anëtarët e saj që janë bërë pjesë e edukimit të hershëm. Studimet flasin se fëmijët që kanë ndjekur edukimin e hershëm kanë zhvillim gjuhësor, shoqërizim më të mirë, e aftësi më të mira njohëse.
Nga kjo situatë, me tërë këto mungesa, në Kosovë kanë përfituar veprimtaritë private. Për më tepër kanë vazhduar të ruhen rolet tradicionale në familje. Prandaj, çerdhja është edhe ndërhyrje e domosdoshme, edhe shpenzim i vlefshëm për të ardhmen e shoqërisë.
Ndërhyrja:
Që ndërhyrja të jetë e ndjeshme, duhet që:
• Të ndërtohen së paku 700 çerdhe. Përfshirja e fëmijëve në çerdhe duhet të jetë masive.
• Edukimi dhe kujdesi i hershëm parashkollor duhet të jepet për të gjithë fëmijët e Kosovës, pa përjashtim.
• Investimet infrastrukturore në ndërtimin e çerdheve janë të mundshme. Përmes borxhit publik ose kapaciteteve vetanake, këto investime janë të sigurta dhe të provuara si të dobishme.