free hit counter 1 Maji - PSD

1 Maji, dita ndërkombëtare e punës e gjen Kosovën me shkallën me të ulët të punësimit në Evropë ndërsa punëtorët në ambiente pune ku dominon logjika shfrytëzuese e mënyra shtypëse.

1 Maji është dita që e aktualizon sakrificën e të gjithë punëtorëve për drejtësi dhe barazi, është dita që na tregon se arritjet e deritanishme nuk janë rezultat i zemërgjerësisë të kapitalit, por i përpjekjeve dhe organizimit.

Pabarazia e madhe në të ardhura që karakterizon shoqërinë tonë është tregues i padrejtësisë shoqërore dhe ekonomike. Kjo ilustrohet mirë me pagën minimale të ulët në nivel vendi.

Mungesa e sigurisë dhe shëndetin në vendin e punës mbetet një prej problemeve kryesore që manifestohet me numrin e madh të vdekjeve në ambientin e punës si dhe me aksidente të rënda për shëndetin e njeriut.

Një nga çështjet më brengosëse është përqindja e lartë e fëmijëve të angazhuar në punë, në veçanti tek komunitet rom dhe ashkali. Vazhdimi i kesaj situate e riprodhon ciklin e varfërisë nga i cili më së shumti pësojnë fëmijët.

Joformaliteti që manifestohet si pasiguri ekonomike dhe i lë punëtorët në ankth për mbijetesë, pagat e ulëta që i mbajnë të varfër, mohimi i të drejtës për pushim, shkëputja e kontratave pa parlajmërim, janë vetëm një pjesë e shkeljeve të të drejtave me të cilat përballen punëtorët çdo ditë në Kosovë.

Roli i sindikatave në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve është I pazëvëndësueshëm. Ato janë faktori kryesor për të garantuar implementimin e mekanizmave që e luftojnë varfërinë, padrejtësinë shoqërore dhe pasigurinë ekonomike. Sindikatat duhet të organizohet mbi parimin e demokracisë pjesëmarrëse dhe të inkurajojnë përfshirjen aktive të të gjithë punëtoreve e punëtorëve që ata përfaqësojnë.

Përkundër prioritetit që kanë lëndët e punës punëtorët presin me vite për marrjen e vendimit përfundimtar si rezultat i vonesave të gjykatave në zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të tyre. Sistemi gjyqësor duhet të krijoj mekanizma për përshpejtimin dhe prioritizimin e lëndëve të punës për t’iu mundësuar punëtorëve realizimin e të drejtave të tyre.

Inspektoriati i Punës i cili mbetet një prej mekanizmave më të rëndësishëm për paranadalimin dhe ndëshkimin e padrejtësive që ndodhin në vendin e punës, duhet t’i rritet buxheti, e bashkë me të edhe numri i inspektorëve.

Sot, sistemi shfrytëzues ka tejkaluar kufijtë shtetëror. Ai shfrytëzon zhvillimin e pabarabartë midis pjesëve të ndryshme të globit; tek zhvillimi i pabarabartë dhe marrëdhënia qendër-periferi gjenden shkaqet kryesore për emigracionin legal e illegal të punëtorëve kosovarë. Ky fenomen po krijon depresion në Kosovë e ksenofobi në vendin “pranues’. Neoliberalizmi shfrytëzon kulturat, religjonet bashkë me të gjitha identitetet e tjera partikulare për të përçarë e nështruar punën. 1 Maji është veçanërisht i rëndësishëm në këtë drejtim; për ekuivalencën përbashkuese që ai mbartë. 1 Maji është thirrje për traditën internacionaliste të lëvizjes punëtore. Pëgjigja kundër shfrytëzimit e shtypjes do të jetë domosdo internacionaliste.

Solidaritet!