Plot 134 vjet më parë, më 1 Maj 1886 punëtorët e Çikagos u hodhën në grevë kundër shfrytëzimit të shfrenuar, për ditën 8 orëshe të punës. Kjo ditë është dëshmi se arritjet e deritashme nuk janë dhurata që vijnë prej gjenerozitetit të kapitalit, por rezultate të përpjekjeve e organizimit.
Në mbarë botën, 1 Maji i gjen punëtorët në ballë të luftës kundër virusit COVID/19. Shumica dërmuese e atyre që po quhen punëtorë esencialë, janë punonjës të shërbimeve, të keqpaguar, pa sigurime shëndetësore e shpesh pa mjetet e nevojshme për përballje me pandeminë. Janë mjekët, pastruesit, furrtarët, infermierët e policët që sot rrezatojnë jetë e po japin shpresë.
Por, a nuk ka qenë kështu gjithmonë? Është puna e punëtorit e punëtores që ka ndërtuar botën. Ura, rrokaqiej e qytete; fabrika e uzina; është fitimi nga puna e puna e punëtorëve kusht për investimet në shkencë që mundësuan zbulimet epokale.
Punëtoria është kusht për ekzistencë, prandaj është mundësi për barazi. Pa rezistencën punëtore nuk do t’i avanconim as të drejtat demokratike si e drejta e votës, deri vonë ato lidheshin me statusin ekonomik; edhe të drejtat në fushën e barazisë gjinore gratë punëtore i kishin në qendër të betejës. Pandemia na mësoi se ndërhyrjet neoliberale sikur ato që shëndetësinë ia ekspozuan tregut, janë politika jo humane që duhet të marrin fund.
Elementi përbashkues e universal i kësaj pandemie anembanë globit janë punëtorët. Vendi i tyre në strukturën shoqërore jehon: ”ekziston vetëm një botë”. Në anën tjetër e kemi shtetin: përçarës, konkurrues, por edhe shtypës. Pandemia, jo rrallë u pa si mundësi për të marrë kontroll mbi trupat e njerëzve, duke pushtuar hapësirën demokratike e cënuar të drejtat dhe liritë e njeriut. Fatkeqësisht, në këtë radhë është edhe emri i vendit tonë Kosovës.
Qeveria aktuale, jo që ka braktisur të kaluarën e majtë dhe premtimet për taksë progresive, për më tepër ajo ka ka ndjekur modelin konservator neoliberal edhe kur ka tentuar të përgjigjet karshi pandemisë. Kriteret e ndërlikuara, shuma e ultë do të ndikojnë në numër të vogël të përfituesve, dhe pastaj me shumë të vogël të shpenzimeve të përgjithshme. Si rezultat, nuk do të kemi kërkesë agregate të rritur për t’u rimëkëmbur nga tatëpjeta e rënies.