Gratë duhet të jenë të sigurta dhe të pa cënueshme, ndërsa angazhimi ynë duhet të jetë përtej këtij kriteri. Elementare është edhe mirëqenia, përveç se siguria. Bazik është vendi i punës dhe trashëgimia në pronë, bashkë me sigurinë. Barazi në kushte dhe ndërhyrje strukturore, përveç se në siguri. Kemi nevojë të zgjerohemi dhe të avancojmë në pjesët tjera që e mundësojnë sigurinë si gjendje të përhershme. Ndryshimet shoqërore që organizohen rreth barazisë e mundësojnë sigurinë. Zhvillimi i luftës vetëm në terma të sigurisë e shkëpusin dhunën dhe dominimin nga shkaqet që prodhojnë pasigurinë.
Siguria për gratë duhet forcuar me pavarësim substancial dhe fuqizim. Përjetësimi i viktimizimit është mekanizëm desubjektivizues. Shteti ta jep, shteti ta merr. Kjo shtron rrugë për autoritarizëm, si zëvendësim.
Për më tepër, siguria është në regjistrin e mbijetesës, ku zhvillohen si alternativa dhe apetite forcat politike konzervatore. Në kushte të mungesës së pavarësisë, na ofrohet familja si çati për mbrojtje nga dhuna, e aty dhunë gjejmë, sepse familja është e strukturuar në formën patriarkale të vlerave. Ndërsa institucioni për gruan ka një kriter për njohjen e saj: klikimi në aplikacionin “Qeveria për nënat” dhe kështu përmbyllet me sukses njohja e rolit, forcimi i rendit.
Historia jep mësimin, e sotmja faktin që rruga nuk është përmes koncensusit, por përmes mosmarrëveshjes dhe ballafaqimit. Ndërhyrjet institucionale që disa janë të vonuara, e disa të gabuara, nuk na garantojnë daljen prej normativës ekzistuese. Projekti i përbashkët barazitar, po. Nuk mund të ketë pajtim për thyerjen e moralit dominant, paraprakisht. E vetmja mënyrë është shkelja e tij.
Përderisa njohim dhe festojmë për betejat e fituara të grave gjatë historisë, sot protestojmë dhe angazhohemi për barazi. Pra edhe festojmë edhe protestojmë.