free hit counter Fillimi i një kronike të paralajmëruar - PSD

Kosova po shkon drejt zgjedhjeve. Kështu thotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Edhe një herë Gjykata u çkap. Apo u kap?! S’ka rëndësi. Kapja e çkapja janë fjalët që vizatojnë dyshen e kontradiktës së rrejshme. Ka një kohë shumë të gjatë ç’prej se gjithçka shpjegohet përmes shënjuesit “antikorrupsion”. Ky akumulim do të zbrazet kësaj radhe. Ndarja e krijuar është ajo midis njerëzve të mirë e të ndershëm dhe batakqinjve. Në vend të miqve të popullit, një etikë e re barazitare na duhet.

 

Zgjedhjet e reja janë gjithsesi lajm i mirë. Jo thjesht sepse po e ushtrojmë demokracinë, por sepse ato paraqesin kalimin nga gjendja e agonisë tek dinamikat e reja. Në fakt, tek një horizont i ri, me kontradikta të reja.

 

Kosova për një kohë të gjatë qeveriset keq. Emrat janë ndërruar, por modeli ka mbetur. Ky model është neoliberalizmi me taksa të sheshta, e me privatizime masive.  Ky model ekonomik e presupozon ideologjikisht, por e ka edhe si kusht operues zyrtarin e korruptuar. Është ky model që ka krijuar pabarazi e nuk po lejon zhvillim shoqëror. Në Kosovë po ndodhë fenomeni që ka ndodhur gjithandej. Neoliberalizmi, për t’ia siguruar vazhdimësinë sistemit e strukturës i ka deligjitimuar elitat politike. Këto të fundit janë ndërruar, por jeta e njerëzve aspak. Këto zgjedhje në fakt tregojnë limitet e partive që deri tash kanë udhëhequr me Kosovën. Këto parti, nuk munden as nuk dijnë ndryshe. Ndaj, le të ikin, mbase mësojnë diçka rrugës.

 

Nuk ka pasur nevojë të shihet rënia e murit të Berlinit për ta kuptuar që një sekuencë kishte marrë fund. Ata që presin deri në fund, janë dogmatët më të ndryshkur. Njëjtë, nuk ka nevojë të shohim e të presim qeverisjen deri në fund për ta parë kufirin. Në fakt, partitë e majta në Evropë kanë braktisur idealet para ardhjes në pushtet. E majta në Francë fitoi në vitin 1981, por që ajo kishte hequr dorë prej përpjekjes emancipuese është kuptuar qysh në vitin 1968. Njëjtë, ata që na thonë të mos paragjykojmë dhe ta vlerësojmë Albin Kurtin nga rasti në rast, në fakt tregojnë për mungesë të kritikës sistematike dhe dembeli të mendjes.

 

Çfarë na pret është një amalgamë midis diskursit totalitar, dhe qeverisjes që sa i përket politikave ekonomike do të jetë maksimalisht qeverisje e informuar nga qendra. Kjo mospërputhje zgjidhet lehtë aty ku bashkohen e reduktohen të gjitha: te lideri suprem. Në fakt, në këto zgjedhje nuk votohet për koncepte, programe, as për parti. Votohet ekskluzivisht lideri suprem, pa asnjë ndërmjetësim.