free hit counter Fjalimi i deputetit dhe Nënkryetarit të Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri në lidhje me paraqitjen e Rezolutës për caktimin e përgjegjësive institucionale në procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë - PSD

Kosova prapë po nxitet në dialog me Serbinë, pa kurrfarë përgatitje e diskutimi. Thua asgjë nuk ka ndodhur.

Deri tash ky dialog, prej se ka filluar në vitin 2012 na e ka ndryshuar emrin politik nga Republika në fusnotë, na e ka fuqizuar e zyrtarizuar praninë politike të Serbisë në Kuvend e Qeveri përmes listës serbe, dhe së fundi rrezikoi të na e kthej me kokë te poshtë rendin kushtetues përmes Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, për ta formalizuar ndarjen, e thelluar identifikimin etnik politik në dëm të barazisë e drejtësisë qytetare, në dëm të integrimit të njerëzve e territorit, në dëm të përbashkimit e funksionalizimit të resurseve e tregut.

Dhe në vend se ta vemi gishtin në kokë dhe ta marrim seriozisht këtë situatë ku gjendemi, në vend se ta diskutojmë e ta ridisejnojmë dialogun, vendimmarrjen në të, vijat e kuqe për të, temat që i flasim e ato që nuk i flasim, krerët institucional e quajnë riformatim bartjen e dialogut nga ekzekutivi të presidenca. Thua ti ky paska qenë problemi. Se Hashim Thaçi si kryeministër paska negociuar keq, por tash si President do të negociojë mirë. Por, fatkeqësisht, edhe një pjesë e kundërshtimit ka mbetur vetëm te kjo pikë. Pra, te ana tjetër e së njëjtës medale. Ky nuk është kundërshtim. Është konfirmim i së njëjtës logjikë – i asaj që thotë se nuk ka rëndësi procesi, agjenda e formati, platforma e strategjia – i rëndësishëm është vetëm njeriu.

Përgjatë këtij dialogu Republika e Kosovës është shndërruar në shtet për dialog, në shtet për të cilin dialogohet, e jo shtet që dialogon. E brenda Republikës dialogu është vendosur në funksion të një njeriu. Kah të shkon Thaçi aty shkon dialogu me Serbinë.

Deri tash deputetë të Kuvendit e të republikës, kanë ndodhur disa takime për të cilat nuk dijmë gjë, dhe disa të tjera publike, por në të cilat nuk dijmë çka është folur. Krejt çka dijmë janë deklarimet e krerëve institucional, më shumti të Presidentit, i cili disa herë e ka përmendur se në dialog nuk ka vija të kuqe, dhe se kompromisi do të jetë i dhimbshëm. Cili kompromis? Për çka është duke u diskutuar dhe çka e çka kanë vendosur të lëshojnë pe? A e di për këtë opinion publik? A po diskutohet ndarja e Kosovës? A është pikënisja e pozicionit të Kosovës Bashkësia e komunave plus? Sepse Thaçi drejtpërdrejt dhe personalisht ka obligim ndaj kësaj marrëveshje duke qenë ai që e ka parafuar atë më 2013.

Kjo duhet ndalur.

Prandaj është tejet e rëndësishme që Kuvendi ta marrë përsipër dialogun. Që Kuvendi ta miratojë platformën strategjike e t’i ritheksoj vijat e kuqe, duke i ravijëzuar qartë edhe temat për të cilat nuk flasim fare. Është tejet e rëndësishme dhe siguresë e domosdoshme që Kuvendi ta ketë mbikëqyrjen e përhershme të dialogut dhe ta gëzojë të drejtën e heqjes së mandatit për dialog sa herë dhe kurdo që negociatorët shkelin parimet udhërrëfyese e platformën negociuese.

Natyrisht që përfaqësimi në dialog është i rëndësishëm. Dhe natyrisht që Zyra e Presidentit e as Presidenti nuk janë as të mandatuar e as të pranueshëm për ta bartur një proces të tillë. Por më me rëndësi se kjo është vendimmarrja legjitime demokratike, platforma e strategjia negociuese, agjenda e vijat e kuqe, si dhe përfaqësimi në dialog e mbikëqyrja institucionale karshi tij.

Propozimi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate për votim:

Në mbështetje të Nenit 65, paragrafit 1, pikës (1), si dhe paragrafit 9 e 14 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; Nenit 6, paragrafit 1 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të nxjerret një:

R E Z O L U T Ë
Për caktimin e përgjegjësive institucionale në procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë

1. Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës dakordohen që përgjegjësia fundamentale për mbarëvajtjen e procesit të dialogut i takon Kuvendit të Republikës, duke qenë organi më i lartë legjislativ e vendimmarrës në vend;

2. Me votë të kualifikuar, me dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve, Kuvendi e miraton Platformën Shtetërore për Dialogun e cila do të shërbejë si dokument bazë i parimeve themeltare dhe të pozicioneve shtetërore në këtë proces të rëndësishëm;

3. Me votë të kualifikuar, me dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve, Kuvendi e mandaton bartësin/t e dialogut. I/të mandatuarit mbahen përgjegjës nga Kuvendi përgjatë secilës fazë të dialogut, dhe marrin vendime vetëm në dakordancë të plotë me të. Kuvendi i Republikës së Kosovës ruan të drejtën e shkarkimit të bartësit/ve kurdo që vlerëson se janë shkelur parimet themeltare të Platformës dhe kur procesi rrezikon të dalë jashtë kornizave të saj;

4. Kuvendi i Republikës, në pajtim me Nenin 69 paragrafi 1 i Rregullores së Kuvendit e themelon një Komision të veçantë që do ta monitorojë për së afërmi procesin e dialogut. Ky Komision do të jetë përgjegjës që ta njoftojë Kryesinë e Kuvendit dhe Seancën Kuvendore për çdo zhvillim në procesin e dialogut – e po ashtu të kërkojë debate të rregullta parlamentare gjatë kohëzgjatjes së tij. Komisioni për Mbikëqyrjen e Dialogut do të drejtohet nga Opozita parlamentare kurse përbërja e tij do të caktohet sipas formulës së përdorur në komisionet e rregullta të Kuvendit.