free hit counter Gratë mbeten të margjinalizuara në jetën publike dhe institucionale për shkak të rendit patriarkal dhe neoliberal - PSD

Dita ndërkombëtare për të drejtat e gruas, 8 Marsi, në njërën anë numëron përpjekjet dhe shënon arritjet e grave gjatë historisë, por në anën tjetër këmbëngul në barazi, në kushte e mundësi, si në rrafshin ekonomik, ashtu edhe në atë politik.

Partia Socialdemokrate, nisur nga parimet e shpallura së fundmi në Deklaratën e Parimeve, angazhohet për një shoqëri të lirë dhe të barabartë. Pjesë e pandashme e përpjekjes në këtë rrugëtim tonin drejt këtyre qëllimeve është edhe barazia gjinore.

Gratë në Kosovë janë të nënpërfaqësuara politikisht dhe ekonomikisht. Ato përbëjnë shumicën e qytetarëve të papunë në Kosovë, ndërsa jeta publike dhe institucionale është e mbipopulluar nga burrat. Kjo strukturë e bazuar në hierarki gjinore, gjenë mbështetjen e saj tek rendi patriarkal dhe kultura vendore, por edhe të rendit neoliberal, të dyja këto në operim përmes stereotipeve në bazë të të cilave edhe ndajnë detyrat dhe përgjegjësitë në shoqëri e familje.

Partia Socialdemokrate konsideron që organizimet politike duhet të jenë agjentë që angazhohen për ndryshime shoqërore, jo vetëm përmes programeve për qeverisje të shtetit, por edhe përmes organizimit të brendshëm, duke përdorur mekanizma afirmativ në pjesëmarrje të barabartë e padallim.

Gëzuar 8 Marsi!